Qeveria e Kosovës ka miratuar ndarjen e një shume prej 1 milion e 108 mijë e 529 eurosh për të mbështetur familjet shqiptare nga Lugina e Preshevës që merren aktivisht me bujqësi. Ky vendim u mor në një mbledhje online të Qeverisë, e cila është zhvilluar më 25 dhjetor, në kuadër të thirrjes publike të Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSh).
Në një komunikatë zyrtare, bëhet e ditur se ndihma financiare do të shpërndahet për familjet nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci që merren me bujqësi, blegtori, pemtari dhe bletari, si dhe për mbështetje të veçante për fëmijët me nevoja të veçanta. Kjo është pjesë e një programi më të gjerë për avancimin e kushteve të jetesës dhe zhvillimin e bujqësisë në këto rajone.
Qeveria gjithashtu ka miratuar rregulloren për procedurat dhe kushtet e financimit të organizatave sportive dhe ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime dhe ndarje të fondeve.
Pavarësisht kërkesave nga Serbia për anulimin e konkursit për subvencione për bujqit e Luginës së Preshevës, Qeveria e Kosovës ka qëndruar e palëkundur në mbështetje të këtij projekti.
Nënkryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, e ka përshëndetur këtë vendim dhe ka shprehur mirënjohjen në rrjetet sociale, duke theksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës ndaj qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
“Qeveria Kurti ka dëshmuar edhe njëherë përkushtimin e saj ndaj qytetarëve të Luginës së Preshevës duke mbështetur familjet shqiptare që merren me bujqësi dhe programet për fëmijët me nevoja të veçanta. Faleminderit Kryeministër Albin Kurti dhe zv. Kryeministër Besnik Bislimi!”, thuhet në postimin e tij./LUGINALAJMI/