Pas një sëmundje të rëndë, Hajredin Ademi – Dina, një personalitet i njohur i Tërnocit, ka ndërruar jetë në moshën 64 vjeçare. Dina, i cili ishte një ushtarak i diplomuar në Sarajevë, ishte një ndër figurat e para që iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke luajtur një rol të rëndësishëm në periudhën e luftës.
Pas përfundimit të periudhës së luftës në Luginë të Preshevës, Dina ka vazhduar veprimtarinë e tij në fushën e shoqërisë civile dhe në politikë. Për shumë vite, Hajredin Ademi ka qenë pjesë e organizatës “Nunsen nga Lillhameri i Norvegjisë.
Si zyrtar i Partisë Demokratike, Dino ka ushtruar edhe detyrën e drejtorit të Organizatës Turistike dhe Radio Televizionit të Bujanocit. Së fundmi, ai ka qenë mësimdhënës në shkollën e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, ku ligjeruar lëndën e sjelljes qytetare.
Hajredin Ademi ishte një njeri i afërt dhe besnik i ish-kryetarit të Bujanocit, Nagip Arifi, i cili ka reaguar emocionalisht pas lajmit për vdekjen e tij. Arifi ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook:
“Shoku im i jetës, bashkëudhëtari i idealeve tona në ditët më të vështira për Bujanocin dhe Luginën, sot kaloi në botën tjetër. Na la të pikëlluar, por me kujtime të paharrueshme që do ta përkujtojmë përgjithmonë. Veprimtaria e tij do të mbetet udhërrëfyes për brezat e rinj. Dina ishte një Drejtor i suksesshëm, një njeri që e bëri krenar RTV Bujanocin dhe një pedagog i shkëlqyer në shkollën ‘Sezai Surroi’. Ngushëllime të sinqerta familjes, shoqërisë dhe të gjithë atyre që e njohën.
Zoti qoftë me ty, miku im, DINO!”