Policia kufitare e Morinës ka ndaluar një 30-vjeçar nga Presheva, i cili tentoi të hynte në Shqipëri, ndërkohë që ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet austriake për trafikim të lëndëve narkotike.
Shtetasi O.K., 30 vjeç, u ndalua si rezultat i kontrolleve të bazuara në analizën e riskut, të kryera nga Policia kufitare në bashkëpunim me specialistët e Seksionit kundër narkotikëve dhe trafiqeve të paligjshme të DVP Kukës.
Pas verifikimeve të detajuara dhe intervistimit në vijë të dytë, u konfirmua se ai ishte i kërkuar nga autoritetet austriake. Policia ka njoftuar se Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Vjenën për të kryer procedurat e ekstradimit të tij në Austri.
Policia kufitare e Shqipërisë vijon kontrollet e shtuara për parandalimin e krimeve në kufi dhe ndalimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.