Këshilltari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) në Kuvendin e Bujanocit, Rahim Salihi, ka reaguar pas publikimit të rezultateve të konkursit të Ministrisë së Brendshme për punësimin e zjarrfikësve të rinj, duke theksuar se edhe këtë herë shqiptarët janë lënë jashtë. Sipas tij, nga gjithsej 300 zjarrfikës të rinj të punësuar në nivel republikan, nuk është pranuar asnjë shqiptar. Në Bujanoc nuk është punësuar asnjë, ndërsa në Preshevë janë pranuar vetëm dy kandidatë, por asnjëri shqiptar. Salihi kujtoi se më 1 tetor të vitit të kaluar, kryetari i Komunës së Bujanocit kishte vizituar stacionin e zjarrfikësve në qytet, ku kishte premtuar angazhimin e tij për sigurimin e më shumë zjarrfikësve, por rezultatet e konkursit të dhjetorit 2024 dëshmojnë të kundërtën. Ai e cilësoi këtë situatë si vazhdimësi të diskriminimit sistematik ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke shtuar se kjo është një dëshmi e qartë se, pavarësisht përpjekjeve të kryetarit të komunës për të promovuar bashkëpunimin me qeverinë dhe për të ruajtur qetësinë në raport me organet shtetërore, ai dhe koalicioni i tij multietnik po përballen me faktin se janë plotësisht të parëndësishëm. Si shembull të kësaj padrejtësie, Salihi përmendi edhe punësimet e fundit në Administratën Tatimore në Bujanoc, ku u pranuan katër persona, tre me shkollë të mesme dhe një me fakultet, por asnjë shqiptar. Duke e vënë në dyshim funksionimin e marrëveshjes për bashkëqeverisje në Bujanoc, këshilltari i PVD-së u shpreh se nëse integrimi i shqiptarëve në organet shtetërore është pjesë e saj, atëherë marrëveshja nuk po respektohet, e nëse nuk është, atëherë qytetarët janë gënjyer./LUGINALAJMI/