Fronti për Ndryshim në Bujanoc ka dalë me një kumtesë publike, duke i dhënë mbështetje të plotë kryetarit të komunës, Arbër Pajaziti, për qëndrimet e tij dhe për bisedimet e filluara me ministrin për të Drejtat e Njeriut dhe Dialog Shoqëror, Demo Berisha. Në takim, Pajaziti i ka dorëzuar ministrit një kërkesë me 10 pika që lidhet me integrimin dhe të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Në njoftim, Fronti thekson se Pajaziti ka paraqitur një performancë reprezentative në të gjitha takimet e tij, qoftë në nivel kombëtar, shtetëror apo ndërkombëtar, dhe se ai, në bazë të kompetencave, ka të drejtë të propozojë dokumente, plane dhe sugjerime për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve.
“Legjitimiteti i tij dhe i Frontit për Ndryshim buron nga vota e popullit, shumë më e theksuar se ajo e një pjese të vogël të opozitës, e cila pretendon të flasë në emër të shqiptarëve. Për fat të keq, humbësit më të mëdhenj sot dëshirojnë të mbajnë autorësinë për gjithçka shqiptare në Luginë”, thuhet në kumtesë.
Fronti për Ndryshim kritikon ashpër një pjesë të opozitës, duke i quajtur ata të paaftë për të përfaqësuar interesat e shqiptarëve, pasi sipas kumtesës “nuk arrijnë të sigurojnë as 200 vota në një vendvotim edhe pas pesë përsëritjesh” dhe “dikur merrnin poste nga Gjyqi i Nishit që dënonte shqiptarët me mijëra vjet burg”.
Sipas Frontit, shqiptarët në Luginë nuk mund të përfaqësohen nga “iniciativat në Facebook” apo nga ata që “përmendin më shumë boshnjakët sesa popullin e tyre”.
Në përfundim, Fronti për Ndryshim shprehet se stagnimi i çështjeve të shqiptarëve në Luginë është pasojë e “udhëheqësve fiktivë dhe pazareve të natës në Beograd”, por shton se “këtyre hijeve të zeza po u vjen fundi” dhe se shpresa e vetme mbetet një përfaqësim i përgjegjshëm si ai i kryetarit Pajaziti./LUGINALAJMI/