-foto PD fb-
Partia Demokratike me seli në Bujanoc ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të dhëna gjatë takimit të djeshëm midis ministrit për të drejtat e njeriut dhe dialog shoqëror, Demo Berisha, dhe kryetarit të komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, duke i cilësuar ato si politikisht të papërgjegjshme dhe të dëmshme për interesat e shqiptarëve në këtë komunë.
Në komunikatën e saj, kjo parti ka theksuar se deklaratat e bëra gjatë konferencës për shtyp legjitimojnë politikat e dështuara të pushtetit qendror ndaj shqiptarëve të Luginës dhe i shërbejnë interesave të Beogradit, në vend se të mbrojnë interesat e qytetarëve.
“Partia Demokratike kundërshton fuqishëm çdo plan të përgatitur në mënyrë jotransparente dhe pa koncensus të të gjitha partive shqiptare, që synon të zëvendësojë planin 7-pikësh të miratuar nga Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë”, thuhet në reagim.
Sipas PD-së, qëndrimet e ministrit Berisha tregojnë gatishmërinë e tij për të hedhur poshtë konsensusin e arritur mes faktorëve politikë shqiptarë, gjë që, sipas tyre, dobëson pozitën e përbashkët dhe i shërben pushtetit qendror.
Në kumtesë theksohet se çdo marrëveshje e fshehtë dhe plan i imponuar pa vullnetin e qytetarëve përbën “tradhti politike ndaj kauzës së shqiptarëve në Bujanoc dhe në të gjithë Luginën”.
Partia Demokratike rithekson se dokumentet e vetme që duhen respektuar janë ato të dala nga një konsensus i plotë i faktorit politik shqiptar, të cilat mishërohen përmes Kuvendit të Këshilltarëve Shqiptarë, duke kundërshtuar çdo iniciativë tjetër “me skenarë të diktuar nga Beogradi”./LUGINALAJMI/