Përfaqësues të komunitetit rom nga Bujanoci janë përfshirë aktivisht në strukturat e Partisë së Drejtësisë dhe Pajtimit (SPP), duke marrë pjesë në konsultime politike të organizuara në Novi Pazar, në kuadër të forcimit të angazhimit të tyre në jetën politike dhe institucionale.
Në këtë kuadër, është mbajtur një takim i drejtuesve të SPP-së nga Bujanoci me kryetarin e kësaj partie, Usame Zukorliq, gjatë të cilit janë ndarë vendimet për emërimin e anëtarëve të udhëheqjes së përkohshme të SPP-së në Bujanoc. Vendimet u janë dorëzuar përfaqësuesve lokalë Adem Salihi, Sadrija Raimoviq, Enis Ajeti dhe Ermihana Zeqiri, ndërsa anëtarëve të tjerë do t’u dorëzohen në ditët në vijim për shkak të mungesës së arsyetuar.
Gjatë konsultimeve janë diskutuar aktivitetet e ardhshme politike, me theks të veçantë në forcimin e infrastrukturës partiake në Bujanoc dhe zgjerimin e anëtarësisë, veçanërisht përfshirjen më të madhe të komuniteteve pakicë në proceset vendimmarrëse.
Përfaqësuesit e SPP-së nga Bujanoci kanë shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme institucionale dhe investimet e realizuara në këtë komunë ndër vite, duke theksuar se këto projekte kanë ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve.
Partia e Drejtësisë dhe Pajtimit në Bujanoc ka riafirmuar angazhimin e saj për barazi të plotë të të gjithë qytetarëve, me fokus të veçantë në përmirësimin e pozitës së komunitetit rom, punësimin e të rinjve, zhvillimin ekonomik lokal, investimet në arsim dhe infrastrukturë, si dhe luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit. Sipas SPP-së, synimi është ndërtimi i një Bujanoci të qëndrueshëm, të drejtë dhe të sigurt, ku institucionet u shërbejnë qytetarëve dhe jo interesave të ngushta./LUGINALAJMI/



