Deklaratat e deputetit të vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, mbi diskriminimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës po i pengojnë kryetarit të Trupit Koordinues të Qeverisë së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Aleksandar Martinoviq.
Në kumtesën e publikuar nga Trupi Koordinues, Martinoviq i referohet Luginës së Preshevës si “e ashtuquajtura ‘Lugina e Preshevës’”, një terminologji që institucionet serbe e kundërshtojnë për këtë rajon, duke theksuar se bëhet fjalë për Preshevën dhe Bujanocin si komuna me shumicë shqiptare, si dhe Medvegjën, e cila nuk ka shumicë shqiptare.
Martinoviq akuzon deputetin Kamberi se përmes paraqitjeve të shpeshta në media po e paraqet “në mënyrë të pasaktë dhe tendencioze” pozitën e pakicës shqiptare, ndërsa Trupi Koordinues njofton opinionin vendor dhe ndërkombëtar se, sipas tij, Serbia është shtet demokratik me kornizë të zhvilluar ligjore dhe institucionale për mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare.
Në reagim thuhet se shqiptarët në Serbi gëzojnë të drejta të garantuara me Kushtetutë dhe ligje, përfshirë arsimin në gjuhën amtare, përdorimin zyrtar të gjuhës dhe shkrimit, informimin dhe pjesëmarrjen politike në nivel lokal dhe kombëtar.
Trupi Koordinues thekson se po punon për përmirësimin e kushteve socio-ekonomike në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë përmes investimeve në infrastrukturë, arsim dhe punësim, duke vënë theksin në bashkëjetesë dhe ndërtimin e besimit mes komuniteteve.
Sa i përket çështjes së pasivizimit të adresave, në kumtesë thuhet se kjo temë, sipas Trupit Koordinues, shpesh keqinterpretohet në opinion. Aty sqarohet se bëhet fjalë për një procedurë administrative në kompetencë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila zbatohet njësoj në të gjithë territorin e Serbisë dhe se në çdo rast ekziston mundësia e mbrojtjes juridike.
Në reagim përmendet edhe arsimi në gjuhën shqipe, duke u theksuar se mësimi në këtë gjuhë është i organizuar në të gjitha nivelet në tri komunat, se janë siguruar tekste shkollore për vitin 2025/2026 dhe se Ministria e Arsimit ka angazhuar një këshilltar të jashtëm për gjuhën shqipe në Drejtorinë Arsimore të Leskovcit.
Po ashtu, Trupi Koordinues përmend përkthimin e disa teksteve universitare në gjuhën shqipe, investimin prej 90 milionë dinarësh për renovimin e shkollës fillore “Sami Frashëri” në fshatin Lluçan, si dhe hapjen e dy grupeve parashkollore për fëmijët shqiptarë në Bujanoc.
Në fund të kumtesës, përmenden edhe protestat e organizuara gjatë vitit 2024 nga Këshilli Kombëtar i Pakicës Kombëtare Shqiptare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ku janë ngritur kërkesa për pasivizimin e adresave, njohjen e diplomave, tekstet shkollore në gjuhën shqipe, përfaqësimin institucional dhe vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare.
Trupi Koordinues thekson se Serbia mbetet e hapur për dialog me përfaqësuesit e pakicës shqiptare, duke vlerësuar se çështjet që lidhen me pakicat kombëtare duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe bashkëpunimit institucional, e jo përmes interpretimeve të njëanshme.



