Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në një takim në Prishtinë një delegacion nga Partia për Veprim Demokratik (PVD), të udhëhequr nga kryetari i saj, Shaip Kamberi.
Pas takimit, Haxhiu ka bërë të ditur përmes një postimi se në takim kanë marrë pjesë edhe kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, si dhe përfaqësues të tjerë nga Lugina e Preshevës.
“Sot pata kënaqësinë të mirëpres në takim deputetin shqiptar nga Lugina, Shaip Kamberi, dhe Kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani, së bashku me një delegacion nga Lugina. Biseduam për mbështetjen e vazhdueshme të institucioneve për Luginën në fusha të ndryshme, si arsimi, kultura dhe institucionet, përfshirë edhe përkrahjen për studentët dhe specializantët”, ka shkruar Haxhiu.
Sipas saj, në takim është diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit institucional, si dhe për rolin e Kuvendit të Kosovës në adresimin e sfidave me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës.
Ndër çështjet kryesore të ngritura ishin pasivizimi i adresave, mosnjohja e diplomave të fituara në Kosovë, gjuha e urrejtjes dhe pengimi i fondeve, të cilat vazhdojnë të mbeten shqetësime serioze për komunitetin shqiptar.
Palët janë dakorduar për vazhdimin e angazhimit institucional me qëllim adresimin e këtyre sfidave dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë./LUGINALAJMI/



