Muzeu Arkeologjik i rajonit të Prizrenit për disa ditë është shndërruar në hapësirë që i ngjante një kampi të përqendrimit. Një gjë e tillë është bërë për nevojat e teatrit rom “Nexhip Menekshe”, që për nder të 8 prillit – Ditës Ndërkombëtare të Romëve, ka realizuar premierën e shfaqjes eksperimentale “Hijet” të autorit dhe regjisorit, Kaltrim Balaj. Për shkak të ulëseve të kufizuara, premiera është ndarë në katër net dhe vetëm për audiencën e ftuar. Këta të fundit që prej hyrjes po bëhen pjesë e shfaqjes. Aty ushtari rojë po ndalon secilin person për t’i dhënë një numër identifikues. Më pastaj, ata po shoqërohen në brendi të ndërtesës, ku edhe realizohet pjesa dërmuese e lojës.
Muzeu nuk është zgjedhur rastësisht nga organizatorët, pasi krijon një efekt të fuqishëm emocional, kur në këtë hapësirë vihen në pah dhimbjet nga e kaluara e njerëzimit. Një prej këtyre historive tragjike është Holokausti, gjatë të cilit viktimat kanë vuajtur thellë në trup dhe në shpirt. Ata janë persekutuar dhe janë vrarë në kampet e përqendrimit apo të vdekjes. Por shpirtrat e tyre me gjasë nuk mund të zhduken, dhe në Prizren janë përkujtuar edhe njëherë, me një performancë të fuqishme artistike. Shfaqja “Hijet”, ku aktorët me lojën e tyre kanë portretizuar historitë e viktimave, ka çuar audiencën në një udhëtim të ndjeshëm dhe sfidues. Performanca e trupës teatrore ka synuar që të promovojë ndjeshmërinë, respektin dhe tolerancën ndaj popullit rom dhe të parandalojë që ngjarje të tilla të ndodhin në të ardhmen, duke vënë në pah nevojën për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Arritja deri në këtë pikë nuk ka qenë e lehtë sipas aktorit të kësaj shfaqjeje, Sejnur Veshall, meqë realizimi i një performance më profesionale ka qenë sfidë për teatrin amator rom të Prizrenit, për më shumë duke marrë parasysh temën e rëndë të shfaqjes, respektivisht holokaustin, ku viktimat rome nuk përmenden sa duhet.
është ndër temat më të rënda të historisë së njerëzimit, por shumë pak përmenden romët. Gjëja tjetër është se edhe kur përmenden, përmenden si shumë pak dhe të pavlefshëm. Sot ne treguam që jemi këtu me i përmend romët që kanë humbë jetën e tyre, edhe ata kanë pas qëllime, kanë pasë familje. Ndoshta njëra prej ngjarjeve më prekëse ka qenë roli im, ku thotë: ‘m’i morën vajzat, ma morën familjen për një jetë më të mirë, për shtetin tim, por çfarë shteti, unë nuk shtet, unë jam rom’”.
Aktori tjetër i kësaj shfaqjeje, Fatmir Menekshe, ka theksuar se kjo performancë pos që ka shërbyer për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve ka mundësuar edhe fuqizimin e trupës së teatrit me një lojë më profesionale, me një skenar të veçantë dhe në një vend të jashtëzakonshëm si Muzeu Arkeologjik në Prizren.
“Kemi dashtë me i tregu botës, edhe pse dihet, por nuk është akoma shumë e ditur se edhe komuniteti rom ose nacionaliteti rom ka vuajtur gjatë holokaustit, dhe pos hebrenjve dhe sllavëve edhe mbi romët është munduar të bëhet një spastrim etnik dhe ato dhimbjet e atyre që i kanë përjetuar jemi munduar pak a shumë t’i përçojmë me emocione publikut”.
Emocionet te publiku i pranishëm janë përcjellë përmes lojës së aktorëve, efekteve të dritës, por edhe muzikës së performuar në vendin e ngjarjes nga vokalisti Andi Kazazi dhe Muhammed Shatri në klarinetë dhe kitarë.
Madje ky ka qenë edhe qëllimi i autorit dhe regjisorit, Kaltërim Balaj që shfaqja e cila paraqet një temë universale e ndoshta edhe të konsumuar, të mos ketë shumë tekst, por me një qasje më ndryshe të komunikojë në secilën gjuhë. Sipas tij, projekti është realizuar për 28 ditë, gjë që ka kërkuar punë të jashtëzakonshme me vetëmohim të gjithë stafit të teatrit rom.
çka kemi dashtë me paraqit është që përmes disa figurave teatrore, me një gjuhë ndryshe teatrore, përmes shenjave, figurave, metaforave me e dhënë këtë temë, këtë çështje me e dhënë në mënyrë universale. Sot në Prizren si qytet shumetnik, që pikërisht sonte pat publik prej komunitetit turk, shqiptar, rom, etj. dhe kjo shfaqje u bë për me komuniku me të gjithë, në krejt gjuhët dhe në vende të ndryshme”.
Teatri rom i Prizrenit tradicionalisht ka shënuar 8 prillin – Ditën Ndërkombëtare të Romëve me një shfaqje teatrore, me artistët romë, në gjuhën rome dhe për publikun rom. Dita Ndërkombëtare e Romëve shënohet më 8 prill, pasi që në këtë datë është mbajtur Kongresi i parë botëror i Romëve në vitin 1971. Në këtë ditë, kremtohet kultura, historia dhe gjuha rome.