Kryeministri i Qeverisë së Kosovës me bashkëpunëtorë ka pritur në takim, mjekët e rinj nga Lugina e Preshevës të cilëve Kosova ua ka mundësuar ndjekjen e shkollimit specialistik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“Së bashku me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi dhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, shprehëm mbështetjen tonë për shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke theksuar se jemi duke trajtuar me seriozitet kërkesat dhe nevojat e shqiptarëve që ballafaqohen me diskriminimin shtetëror e sistematik në Serbi.
Specializantët shfaqën mirënjohjen e tyre për adresimin e shkollimit specialistik dhe përkrahjen e vazhdueshme të dhënë nga Qeveria” – ka njoftuar Ardita Sinani, këshilltarja e kryeministrit të Kosovës.
Kujtojmë që në vitin 2022, për herë të parë një Qeveri e Republikës së Kosovës ndau linjë të veçantë buxhetore për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin. Për vitin e ardhshëm buxheti për Luginën e Preshevës është paraparë të jetë tre milionë euro, një millionë më shumë sesa ishte sivjet./LUGINALAJMI/