Edhe pse vjeshtë e vonë ngado që shikojmë përgjatë rrugës Bujanoc – Levosojë shohim gjallëri të natyrës, veçmas në livadhet dhe kodrinat të cilat ende i janë mirënjohëse motit të butë, me të reshura të vazhdueshme, sikur të ishim në brigjet e Jonit apo Adriatkut.
Levosoja është arena e reportazhit tonë të radhës që për temë ka poetikën e punës së bletëve dhe bletarëve të kësaj zone. Mbase pozita e Levosojës është po aq strategjike sa edhe rëndësia që ka mjalta për shëndetit e njeriut dhe për tërë florën po edhe faunën e një vendi. Përmes këtij fshati kalon koridori kryesor i trafikut rrugor, atij automobilistik dhe hekurudhor. Kur kësaj i shtohet edhe lumi Moravica, këtë vend e bënë të duket thuaja se je duke shkëputur pjesë nga ndonjë imagjinatë përrallore.
Një jetë e tërë durim, sakrificë e përkushtim
Dashuria dhe poetika po aq sa janë mitike e hyjnore, janë edhe më shumë motivuese për ta kuptuar thelbin e komunikimit të njeriut me botën që e rrethon. Ndërkaq arti i dnërtimit të hojeve të bletës në koshere mund të kuptohet vetëm se me dashurinë që ndjenë një kultivues bletësh. Stanimir Dejkoviq nga ky fshat që në rini të hershme ia kishte kushtuar dashurinë kësaj krijese të vogël e shumë punëtore. Mbase shpirti i kreativitetit arstistik të bletës edhe nuk mund të kuptohet ndryshe pos përmes dashurisë që ndjenë për këtë krijesë. Kjo lidhje është sa sublime po aq edhe hyjnore.
– Të kultivoshë bletët më parë do të thosha se është ritual thuaja se shpirtëror se punë e veprimtari puro fizike. Ngase në fillim duhet “investuar” shumë dashuri e durim për të ardhur deri te rezultati i dëshiruar. Që në rini të hershme, pra para gati se 40 vitesh, kisha vetëm dy – tri koshere të cilat mi dha ungji im, nga i cili edhe e trashëgove këtë dashuri dhe “mjeshtëri, rrëfen Mirko.
Në pyetjen tonë nëse vera e sivjetme dhe ky mot që po mbretëron tani janë të dobishëm për bletët, Mirkos sikur përgjigjeja i mbeti si një kafshatë që vështirë kapërdihet, ngase bletët nuk duan as temperatura të larta as temperatura shumë të ulëta, as shumë lagështi e as shumë thatësi.
– Viteve të fundit kemi probleme me trajtimin e bletëve, meqë ilaçet që përdorim për të eliminuar mikroorganizmat që dëmtojnë bletët nuk janë efikas si dikur. Kjo për shkak të ndotjes së mjedisit dhe mbeturinave të hudhura gjithandej. Andaj duhet angazhim maksimal në trajtimin me kohë të bletëve për të pasur rendiment të kënaqshëm dhe zhvillim të qëndrueshëm të komuniteteve të bletëve në koshere. Ky mot i but do t’i dëmtoj edhe më shumë ato. Me daljen e tyre nga kosheret, me shpresën se do të gjejnë nektarin e nevojshëm, ato vetëms e do të lodhen kot, ndërkaq pas kthimit , ashtu të lodhura do t’i konsumojnë rezervat dimërore të mjaltit të nevojshme për ta përballuar dimrin.
Mirko është një ish punonjës i ndërmarrjes ndërtimore “Integral” e cila falimentoi në fund të viteve nëntëdhjeta, por ky punëtor i zellshëm nuk pranoi t’i falimentonte edhe vullneti ei dashuria për bletët. Ndërkohë me anëtarësimin në Shoqatën multietnike të bletarëve “Polen 2012”, Mirko gjeti një shoqëri të re dhe krijoi edhe miqësi të shumta. Gjatë bisedës aty ishte i pranishëm edhe Bashkim Tosuni nga Dobrosini me të cilin shkëmbejnë vizita të ndërsjellta në këtë relacion.
Dashuria për bletët mundi falimentimin e ndërmarrjes
Falimentimi i ndërmarrjes ku kisha punuar për dekada të tëra nuk më dekurajoi fare, meqë me këtë rast m’u dha më shumë kohë e hapësirë që më seriozisht të merrem me kultivimin e bletëve dhe të shoqërohem e miqësohem me serb e shqiptarë që më parë nuk i kisha njohur. Ne flasim me gjuhën e bletëve, jetojmë dhe lumturohemi vetëm kur ato janë mirë, pa ndërhyrje të politikave as lokale as rajonale. Ne jemi njerëz që sakrifikojmë për lumturinë e të gjithëve, pavarësisht përkatësive identitare. Do të isha edhe më i lumtur nëse në komunitetin tonë të kishim më shumë të rinjë e të reja, mirëpo ata nuk po kanë durim të presin për ta shijuar dobinë e kësaj veprimtarie, na tha Mirko në vazhdim të bisedës sonë.
Bashkë me kryetarin e Shoqatës “Polen 2012”, Zarije Mitiq, këta bletarë janë shumë aktivë edhe në motivimin e organeve komunale që këtij komuniteti t’i dalin në ndihmë përmes subvencioneve të rregullta, duke iu siguruar inventar, vizita në panaire dhe organizimin e panairit me karakter ndërkombëtar i cili tashmë është bërë tradicional. Mirko shprehet i kënaqur me ndihmat që marrin si nga republika po ashtu eedhe nga Komuna.
– Shteti ndanë nga 800 dinarë për çdo koshere, ndërkaq Komuna, përmes programit për subvencionimin e bujqësisë, na rimburson në vëllim prej 70% mjetet që shpenzojmë për blerjen e inventarit për bletët, në shumën maksimale deri 100 mijë dinarë. Jemi të kënaqur me këto ndihma, shprehet ai me shumë modesti. Me rëndësi është që ne të bëjmë punën tonë, të kemi më shumë bletarë dhe mjaltë, të tjerat mandej janë gjëra që e përcjellin këtë veprimtari të bekuar me dashuri.
Thirrje për mision të përbashkët në ruajtjen e mjedisit dhe natyrës
Kur prej tij kërkuam një mesazh për lexuesit tanë, ai në fillim mendoi se nuk kishte thënë mjaftueshëm sa për t’u kuptuar prej tyre, mirëpo pasi u mendua pakë tha:
– Për mua bletaria është një mision i shenjtë i cili do të më shoqëroj deri në frymën e fundit. Këtë dashuri do ta marrë me vete, bashkë me shpirtin tim që do të më shoqëroj në qiej. Andaj kisha ftuar lexuesit tuaj që sa më parë e sa më shumë ta kuptojnë rëndësinë që kanë bletët për njeriun dhe natyrën, madje njeriu dhe bletët janë kujdestar natyrës. Sa më shumë dashuri e përkushtim që i dhurojnë njëri tjetrit, do të kemi një natyrë dhe mjedis më të këndshëm për jetë.
Kjo bisedë plotë fisnikëri na bëri që përfundimi i takimit tonë të mos përjetohet si ndarje por si bashkim në këtë mision dashurie për njeriun, bletët dhe natyrën.