(Me rastin e përurimit të studimit të Dr. Valbon Bytyqit “UJËRAT DHE POPULLSIA: Shpërndarja territoriale dhe kohore e ujërave dhe e popullsisë në Kosovë”)
Shkruan: Akademik Hivzi ISLAMI
Prof. Valbon Bytyqi është tashmë një ekspert i njohur në shkencat gjeohapësinore. Ka botuar disa libra shkencorë dhe shumë artikuj në revistat prestigjioze shkencore ndërkombëtare në Europë dhe jashtë saj. Vetëm në Akademinë tonë i ka botuar dy libra shkencorë dhe shumë artikuj në revistat e saj, në “Studime” dhe “Studime Shoqërore”; ka marrë pjesë në tryezat dhe konferencat tona shkencore dhe profesionale. Ka punuar dhe punon edhe në disa projekte shkencore në Akademi. Flet dhe shkruan anglisht dhe gjermanisht, por lexon dhe kupton edhe serbokroatisht, të cilën e ka mësuar nga shfrytëzimi i hartave të ndryshme gjeohapësinore. Ka mbajtur ligjërata nga fusha e tij në disa universitete të huaja në kuadër të programeve përkatëse ndërkombëtare.
Dr Valboni ishte njëri ndër motorët kryesorë të realizimit të projektit “Leksikoni i vendbanimeve të Kosovës”, një trashëgimi e madhe për shkencën dhe kulturën tonë. Pa Valbonin pjesa fizike-hapësinore nuk do të realizohej me sukses. Ai i nxirrte në ekran hartat gjeografike, topografike, hidrologjike, klimatologjike, gjeologjike, pedologjike, statistikën zyrtare etj. dhe i lexonte, i analizonte të dhënat dhe i nxirrte konkluzionet. Kudo që gjendesh, nëse e ke Valbonin pranë, informohesh për çdo detaj dhe situatë mbi tokë dhe nën tokë!
Botimi që po e përurojmë sot shqyrtonrelacionet e ndërvarura dhe të ndërlidhura midis ujërave dhe popullsisë në Kosovë, duke trajtuar këtë binom në dimensionin hapësinor dhe kohor. Autori duke përdorur të dhënat ekzistuese për të gjitha objektet ujore të Kosovës, sikurse ujërat sipërfaqësorë ashtu edhe ato nëntokësorë, tregon rolin e elementëve dhe faktorëve natyrorë në shtrirjen hapësinore dhe kohore të tyre. Në botim analizohen faktorët determinues në hidrografinë e Kosovës, ndërsa konkludohet se pjesa perëndimore e Kosovës, për shkak të klimës së ndikuar prej masave ajrore nga detet e nxehta mesdhetare dhe relievi malor, është më e pasur me ujëra, ndërsa sistemi lumor i Drinit të Bardhë që korrespondon me pjesën perëndimore të vendit është sistemi më i pasur lumor në Kosovë. Kurse, pjesa lindore është më e varfër me ujëra sipërfaqësore e nëntokësore. Në pikëmamje hidrologjike Kosova është ndër vendet më specifike nga se nuk merr ujë, por vetëm derdhë ujë – Ujërat e saj derdhen në tri dete: në Adriatik, në Egje dhe në detin e Zi.
Studimi monografik “Ujërat dhe popullsia” përmban hyrjen dhe metodologjinë e punës, ku autori thekson rëndësinë e ujërave dhe ndërlidhjen me popullsisë, ndërsa tek metodologjia shqyrton metodat dhe materialet e përdorura për t’i arritur përfundimet përkatëse shkencore. Botimi është shtjelluar në 16 kaptina e shumë nënkaptina dhe ka 602 faqe tekst, mbi 170 njësi bibliografike, 312 harta, shumë ilustrime origjinale e fotografi të terrenit të cilat dëshmojnë relacionet ujëra-popullsi, ka 106 tabela, përfundimin në shqip dhe anglisht, si dhe indeksin e emrave.
Në fillim analizohen kushtet natyrore të cilat kanë determinuar veçoritë ujore të Kosovës. Analizohen raportet e ndërvarura dhe të ndërlidhura me relievin, ndërtimin gjeologjik dhe klimën me veçoritë hidrografike të vendit. Autori nxjerr përfundimin se ndërtimi litologjik ka përcaktuar kushtet hidrogjeologjike të vendit, ndërsa relievi dhe klima kanë ndikuar në veçoritë hidrografike, përkatësisht pasuritë ujore të Kosovës. Në hollësi analizohen ujërat e Kosovës, përfshirë ujërat nëntokësorë dhe sipërfaqësorë, si dhe shpërndarja hapësinore dhe kohore e tyre (burimet, lumenjtë etj.) dhe paraqiten karakteristikat hidroklimatike të tyre (prurja, regjimi, ujëdhënia etj.) si elemente specifike të sistemeve lumore në Kosovë.
Në një pjesë të librit jepen disa të dhëna të popullimit të hershëm të Kosovës, duke theksuar lokacionin e vendbanimeve dhe të popullsisë afër lumenjve, si vende me kushte më të mira për jetë, ku ka pasur në dispozicion përveç ujit edhe tokën bujqësore. Në bazë të dokumenteve të mëvonshme, autori konstaton se janë evidentuar thuajse vendbanimet e njëjta të cilat përmenden edhe sot në Kosovë. Jep të dhëna popullative që nga fundi i shek. XIX dhe fillimi i shek. XX, duke analizuar ecurinë kohore dhe ndryshimet në hapësirë.
Pastaj analizohet shtrirja kohore dhe hapësinore e popullsisë dhe e vendbanimeve në raport me ujërat në Kosovë, më konkretisht në relacion me ujërat nëntokësore dhe ujërat rrjedhëse (sipërfaqësore). Duke analizuar shpërndarjen e popullsisë në akuiferët – me porozitet intergranular që gjenden kryesisht në fushat e Kosovës, autori konkludon se 81.1% e popullsisë së Kosovës në këto lloje akuiferësh janë të shtrirë 56.4% e vendbanimeve. (Akuiferët janë formacion gjeologjik me material mjaftueshëm të depërtueshëm – rërë dhe zhavor – për të ruajtur ujërat nëntokësore). Ky dallim ndërmjet përqindjes së vendbanimeve dhe të popullsisë tregon rolin e ujërave nëntokësore në lokacionin e vendbanimeve dhe rritjes së numrit të popullsisë ndër vite. Madje këto akuifere konsiderohen si akuifere me dendësi të madhe të banimit (446 b/km²), 3 herë më e madhe se mesatarja e Kosovës. Krahas rritjes së popullsisë mbi këto akuifere autori thekson rritjen e hapësirës së ndërtuar (zona artificiale) të cilat kontribuojnë në pengimin e infiltrimit të ujërave të reshjeve duke nxitur vërshimet. Në terrenet kodrinore-malore janë të lokalizuara rreth 1/3 e vendbanimeve, ndërsa vetëm 1/6 e popullsisë. Në akuiferët e pasur me ujëra dominojnë kryesisht vendbanimet e mëdha dhe të mesme, ndërsa ka më pak vendbanime të vogla. Ndërsa vendbanimet e vogla të terreneve kodrinore-malore kanë pësuar rënie të numrit të popullsisë në krahasim me vendbanimet e mëdha fushore.
Në vazhdim autori analizon shpërndarjen e popullsisë në raport me ujërat rrjedhëse të Kosovës. Duke analizuar pellgjet lumore në vend, vihet theksi te shpërndarja jo e barabartë e popullsisë sipas pellgjeve detare dhe sistemeve lumore. Pastaj, analizohet shpërndarja e popullsisë në largësi të lumenjve, ku dominon koncentrimi i vendbanimeve dhe i popullsisë në distancë të vogël nga rrjedhat ujore ku ndodhet rreth ½ e territorit të Kosovës, ku janë të lokalizuara 60% e vendbanimeve, ndërsa jetojnë diçka mbi 70% e popullsisë (2011), duke dëshmuar rolin e rrjedhave ujore në aktivitetet social-ekonomike të popullsisë së Kosovës. Ndërsa në aspektin kohor, ky brez i largësisë ka shënuar rritjen më të madhe të popullsisë në vend. Përveç këtij fakti, vihet theksi në rritjen e disa vendbanimeve të mëdha që nuk kanë rrjedha të fuqishme ujore (sikurse Prishtina, Ferizaj e Gjilani), të cilat janë zhvilluar si qendra regjionale dhe kryeqendër, duke siguruar ujin e pijshëm përmes akumulacioneve dhe sistemeve të furnizimit me ujë, që tregon zvogëlimin e varëshmërisë së ekzistencës së vendbanimeve të mëdha me lumenjtë. Autori nënvizon faktin e ndikimit të burimeve ujore (gurrave) në lokacionin e vendbanimeve në terrenet karstike, të njohura si terrene të varfra me hidrografi sipërfaqësore. Në këto lokacione janë zhvilluar shumë vendbanimeve të mesme e të mëdha (p.sh. në Has), madje edhe qendra komunale (p.sh. Istogu).
Në një kaptinë analizohet shtrirja e popullsisë sipas lartësisë mbidetare. Duke marrë në konsideratë relievin si faktor përcaktues të klimës, tokës bujqësore dhe problemet që ndërlidhen me të jetuarit në lartësi të mëdha, autori konstaton se pjesa dërmuese e popullsisë dhe e vendbanimeve në Kosovë është e lokalizuar në lartësi deri 700 m, ku janë të shtrira 71.7% e vendbanimeve dhe 92.7% e popullsisë së Kosovës, duke treguar koncentrim të madh në viset fushore të vendit dhe në terrenet përgjatë lumenjve. Kjo ndërlidhje ekziston për faktin se janë të pasura me ujëra nëntokësore në viset fushore, ndërsa nxjerrja e tyre është e lehtë (puset, bunarët).
Në një pjesë tjetër të botimit trajtohen resurset ujore të Kosovës. Theksohet prania e akumulimeve të rëndësishme të ujërave nëntokësorë, sidomos në pjesën perëndimore dhe juglindore të fushës së Dukagjinit, ndërsa sa i përket ujërave rrjedhëse më i pasur është sistemi lumor i Drinit të Bardhë, pastaj i Ibrit, i Lepencit dhe i Moravës së Binçës.
Duke analizuar reshjet si faktor themelor në krijimin e resurseve ujore, në botim analizohet shpërndarja e reshjeve, e ujëdhënies dhe shpërndarja territoriale e kohore e ujërave rrjedhëse në Kosovë. Analizohet prurja, moduli i rrjedhës, variacioni brenda sistemeve lumore, për të ardhur në përfundim për shpërndarjen e resurseve ujore në nivel vendi dhe analizat për nivel të pellgjeve lumore. Këtu trajtohet shpërndarja e ujërave rrjedhëse në raport me popullsinë, ku Kosova klasifikohet si vend në kufi të stresit ujor, ndërsa disa pellgje lumore si vende me stres ujor, e që herëpasherë dëshmohet me mungesën e ujërave në sistemin e furnizimit të popullsisë. Për të zvogëluar impaktin e klimës së Kosovës e cila karakterizohet me vera të nxehta e mjaft të thata, në Kosovë gjatë shekullit të kaluar janë ndërtuar akumulacionet artificiale (liqenet) të cilat në studim trajtohen në një kaptinë tjetër, ku autori tregon karakteristikat morfometrike të tyre, përfshirë pozitën, vëllimin dhe distribuimin e ujit përmes hidroekonomisë etj.
Në kaptinën e fundit të librit shkencor analizohet shfrytëzimi i ujërave në Kosovë, që nga amvisëria, bujqësia, hidroenergjetika dhe rekreacioni, si sektorët me shfrytëzim më të madh të ujit, duke dëshmuar rëndësinë e ujit dhe përdorimin e shumëfishtë në segmente të ndryshme të jetës. Pastaj analizohen objektet hidrike si lokalitete me rëndësi të veçantë për qëllime rekreacioni, turizmi, edukimi, studimi etj. Në botim paraqiten objektet hidrike si pika të veçanta në itinerarin e lëvizjeve turistike në Kosovë, sikundër që trajtohen problemet me ujërat në Kosovë, ku analizohen ndotja dhe monitorimi i ujërave, degradimi i shtretërve të lumenjve dhe vërshimet, duke pasqyruar edhe mundësitë e mbrojtjes nga këto rreziqe. Në fund, autori analizon aspektin ligjor të ujërave, duke trajtuar dokumente të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara ku theksohen të drejtat e njeriut për ujë dhe kanalizim, pastaj Direktivën 2000/60/EC të Bashkimit Europian, si dhe pozitën e Kosovës në trajtimin e këtyre problemeve në raport me plotësimin e dokumenteve përkatëse. Duke qenë se ujërat rrjedhëse të Kosovës janë ujëra ndërkufitare, në studim analizohen Rregullat e Helsinkit, Rregullat e Berlinit, si dhe problemet me ujërat ndërkufitare të Kosovës në raport me vendet fqinje.
Në fund, mund të konkludohet se botimi shkencor “Ujërat dhe popullsia” – Shpërndarja territoriale dhe kohore e ujërave dhe e popullsisë në Kosovë” paraqet një analizë të detajuar të shpërndarjes së ujërave dhe të popullsisë në Kosovë, duke treguar relacionet shumëdimensionale të shfrytëzimit të ujit, ndërvarësisë dhe ndërlidhjes me njeriun, deri tek aspekti ligjor, hidroekonomik dhe problemet me ujërat në vend. Botimi është realizuar me një qasje të re, metodologji unike dhe ofertë krejtësisht të re shkencore dhe praktike për instancat e pushtetit, qendror dhe komunal, si dhe për vendbanimet për nevoja të ujit të pijes, për ujitje, për infrastrukturë, si dhe për planifikim hapësinor, ekonomik, urbanistik, shoqëror etj. Libri shkencor mund të ju hyjë në punë profesionistëve të fushave të ndryshme të cilët trajtojnë relacionet ujëra-popullsi.
Autorin e përgëzojmë për punën e bërë dhe i urojmë suksese të tjera në të ardhmen!