-Foto ilustrim-
Për tre ditë, pesë parti të ndryshme në Bujanoc, kanë dorëzuar listat e tyre me kandidatë për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 2 qershorit.
Partia Demokratike, Partia e Drejtësisë dhe Pajtimit (SPP), Partia Progresive Serbe, Lëvizja për Progres Demokratik dhe Alternativa Demokratike Shqiptare, kanë dorëzuar listat e tyre konkurruese me nënshkrimet mbështetëse të qytetarëve pranë Komisionit komunal Zgjedhor në Bujanoc.
Ajo që vërehet në këto pesë lista, është fakti që romët local në Bujanoc, janë mbledhur në një parti të vetme, ate të Usame Zukorliq dhe me 2 qershor, do të garojnë nën petkun e partisë që ka qendrën në Novi Pazar. Ndërsa, Alternativa per Ndryshim, nuk do të garojë e vetme, por bashkarisht me Unionin Demokratik Shqiptar dhe grupimin qytetar Lëvizjen për Bujanocin.
Nga ana tjetër, sot Partia për Veprim Demokratik, ka filluar ti mbledh nënshkrimet përkrahëse, pas nominimit të ndjeshëm të Ragmi Mustafit për kryetar komune nga rradhët e partisë së Shaip Kamberit, dhe pritet që ditët në vijim edhe kjo parti ta dorëzojë listën garuese për 2 qershor./LUGINALAJMI/