Javën më parë, bartësi i listës së “Frontit për Ndryshim”, Arbër Pajaziti, përmes tri ftesave veç-e-veç ka ftuar për takime të ndara tri subjektet politike shqiptare, LPD, PD dhe PVD, për mundësinë e krijimit të shumicës së re qeverisëse në Bujanoc, gjë që, asnjëra nga këto parti nuk i është përgjigjur pozitivisht thirrjes së Pajazitit, I cili përmes një postimi në facebook, ka thënë se raundi i parë I bisedimeve ka mbaruar, përkundër që ai fare nuk u zhvillua.
Megjithate, Pajaziti, ditë më parë ka thënë se do të vazhdojë me bisedimet e ciklit të dytë, për krijimin e shumicës se re qeverisëse.
Është Lëvizja për Progres Demokratik, lideri i së cilës Shqiprim Musliu, ka ftuar për takim tre përfaqësues të ndryshëm të listës së përbashkët, “Alternativës për Ndryshim”, “Unionit Demokratik Shqiptar” dhe “Lëvizjes për Bujanocin”, që të gjitha këto subjekte të unifikuara në listën e Frontit për Ndryshim, që sipas Musliut, takimi do të kishte karakter konsultativ.
“Në bazë të marrëveshjes për koalicion paszgjedhor mes PD-së, PVD-së dhe LPD-së të inicuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptar në prill të këtij viti e të cilat më 2 qershor fituan 18 mandate për Këshilltarë në Kuvendin Komunal të Bujanocit, si dhe pas takimit konsultativ të realizuar më 23 qershor mes subjekteve në fjalë për kordinim rreth ndërtimit të koalicionit për bashkëqeverisje, sot në cilësinë e bartësit të këtij koalicioni ftuam për takim konsultativ bartësin e koalicionit Fronti për Ndryshim (APN, LB dhe UDSH), për të bashkërenduar qëndrimet për formimin e koalicionit të mundshëm me të gjithë këshilltarët shqiptarë për Komunën e Bujanocit, që do të reflektonte rezultatet e të dy koalicioneve paraprake.
Pas çertifikimit të rezultateve, sot ftuam Koalicionin Fronti për Ndryshim si dhe i bëjmë ftesë edhe zyrtarisht që nesër e martë më 02.07.2024, në ora 09:00 të fillojmë negocimin për ndërtimin e koalicionit për bashkëqeverisje të Komunës së Bujanocit” – ka shkruar Musliu në facebook.
I menjëhreshme ka qenë reagimi i Arbër Pajazitit, i cili përmes një postimi në facebook, ka shkruar: “Të gjitha subjektet i kanë pranuar ftesat, përveç LPD-së e cila ka refuzuar të pranojë ftesën tone”.
“Bazuar në rezultatet e çertifikuara të zgjedhjeve të fundit, në cilësinë e fituesit të tyre, ju kemi dërguar ftesë për takim konsultativ të gjitha subjeketeve politike të cilat kanë arritur të kenë përfaqësim në përbërjen e re të Kuvendit Komunal të Bujancit, me qëllim të diskutimit të mundësive rreth formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja të vetqeverisjes lokale.
Takimet janë paraparë të jenë ditën e mërkurë në termine të ndara.
Të gjitha subjektet i kanë pranuar ftesat, përveç LPD-së e cila ka refuzuar të pranojë ftesën tonë.
Opinioni do të njoftohet me kohë për të gjitha lëvizjet tona, në mënyrë që mos t’i lëmë vend spekulimeve dhe keqinformimit publik” – thuhet në fund të postimit të Arbër Pajazitit, bartës i listës së “Frontit për Ndryshim”.
Kujtojmë që katër listat shqiptare nga zgjedhjet e 2 qershorit, kanë marrë 26 këshilltarë nga 41 sa numëron Asamblea komunale e Bujanocit, me këtë rënditje; “Fronti për Ndryshim” – 8 këshilltarë, “Lëvzija për Progres Demokratik” – 7 këshilltarë, “Partia Demokratike” – 6 këshilltarë dhe “Partia për Veprim Demokratik” – 5 këshilltarë./LUGINALAJMI/