Portali rus Sputnik ka publikuar një tekst lidhur me paralajmërimin që në Kuvendin e Kosovës u aprovua një rezolutë për “avancimin e kujdesit institucional ndaj komunitetit shqiptar” në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Në tekst citohet politologu Nikola Perishiq, i cili këtë iniciativë e interpreton si “një tjetër përpjekje për presion ndaj Serbisë dhe popullatës serbe në Kosovë”. Sipas tij, ideja për shkëmbim territoresh nuk është e re, por në këtë rast mund të jetë riaktivizuar nga Albin Kurti për arsye politike dhe elektorale.
Perišić vlerëson se përmes kësaj rezolute mund të synohet rikthimi në agjendë i idesë së “shkëmbimit të territoreve”, ku Serbia eventualisht do të llogariste në komunat veriore të Kosovës, ndërsa pala shqiptare në komunat e Luginës së Preshevës. Megjithatë, ai e quan këtë skenar “joreal” dhe “dëshirë të zbrazët të palës shqiptare”.
Ai shton se Beogradi duhet të jetë i kujdesshëm ndaj, siç i quan ai, “ideve separatiste”, duke bërë krahasime me zhvillimet historike në Kosovë. Sipas tij, këto janë ide që “zgjasin me dekada” dhe presin moment të përshtatshëm për t’u aktivizuar.
Në tekst, Perishq pretendon se pas kësaj iniciative qëndron Kurti dhe se, nëse Prishtina do të detyrohej ta formonte Asociacionin e komunave me shumicë serbe, mund të përgjigjej me idenë e një “bashkësie të komunave shqiptare” në Luginë të Preshevës.
Ai gjithashtu paralajmëron se ide të tilla, sipas tij, lidhen me projektin e “Shqipërisë së Madhe” dhe kërkon që Bashkimi Evropian të reagojë. Në fund, Perishq thotë se BE-ja duhet të insistojë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog dhe të parandalojë, siç shprehet ai, turbulenca të reja në Ballkan./LUGINALAJMI/



