Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Beograd, Anke Konrad, gjatë ditës së djeshme zhvilloi një vizitë zyrtare në Bujanoc, ku u takua me përfaqësues të institucioneve lokale dhe kombëtare. Vizita e ambasadores Konrad filloi me takimin në ambientet e Këshillit Kombëtar Shqiptar, ku u prit nga kryetari Enkel Rexhepi. Në njoftimin e tij pas takimit, Rexhepi theksoi se biseda ishte përqendruar në gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe në sfidat e vazhdueshme që lidhen me diskriminimin shtetëror, veçanërisht në fushën e arsimit. “Diskutuam hapur për mungesën e teksteve mësimore në gjuhën shqipe dhe mosnjohjen e diplomave nga Kosova, që mbeten pengesa serioze për të rinjtë shqiptarë. Theksuam rëndësinë që Plani shtatëpikësh të zbatohet si dokument bazë për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve dhe për zgjidhjen e çështjeve të hapura në Luginë,” tha Rexhepi, duke shtuar se Këshilli Kombëtar Shqiptar do të vazhdojë të jetë zëri institucional i shqiptarëve në këtë rajon. Ai po ashtu ngriti çështjen e pasivizimit të adresave, mungesës së përfaqësimit të drejtë në institucionet publike dhe diskriminimit në ndarjen e fondeve për kulturë e media, duke theksuar nevojën e mbështetjes së faktorit ndërkombëtar, përfshirë Gjermaninë, në sigurimin e një trajtimi të barabartë për shqiptarët në Luginë të Preshevës.
Pas këtij takimi, ambasadorja gjermane u prit edhe nga kryetari i Komunës së Bujanocit, Arber Pajaziti. Në një komunikatë publike, Pajaziti e vlerësoi vizitën si të rëndësishme për zhvillimin e bashkëpunimit lokal dhe ndërkombëtar. “Pata kënaqësinë të pres në një takim pune ambasadoren Anke Konrad, ku diskutuam për sfidat dhe perspektivat e komunës sonë, si dhe për mundësitë e bashkëpunimit në projekte që ndikojnë pozitivisht në zhvillimin ekonomik të Bujanocit,” shkroi Pajaziti. Ai shtoi se gjatë takimit u fol për integrimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore, për mundësitë e investimeve gjermane në Bujanoc, si dhe për rolin e diasporës shqiptare në forcimin e lidhjeve ekonomike me Gjermaninë. “Vlerësova lartë angazhimin dhe interesimin e Ambasadës Gjermane për zhvillimin e Luginës dhe mbështetjen e nismave që synojnë integrimin dhe përparimin e komunitetit tonë,” theksoi Pajaziti.
Në kuadër të vizitës në Bujanoc, ambasadorja Konrad zhvilloi takim edhe me përfaqësuesit e Trupit Koordinues për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Sipas njoftimit zyrtar të këtij institucioni, ajo u takua me Aleksandar Martinoviq, kryetar i Trupit Koordinues, dhe me Nenad Mitroviq, ushtrues detyre i drejtorit të Shërbimit të Trupit Koordinues. Në këtë takim, siç thuhet në njoftim e Trupit Koordinues, u diskutua për projektet aktuale që po zbaton ky institucion, për mundësitë e përmirësimit të bashkëpunimit në fushën e zhvillimit ekonomik, si dhe për aktivitetet që synojnë ruajtjen e stabilitetit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve në komunat e Luginës. Martinoviq theksoi se Qeveria e Serbisë është e përkushtuar ndaj ruajtjes së paqes, sigurisë dhe zhvillimit të barabartë, duke shtuar se Trupi Koordinues mbetet partner i besueshëm i institucioneve ndërkombëtare dhe donatorëve që mbështesin përpjekjet shtetërore në këtë drejtim./LUGINALAJMI/



