-Foto ilustrim-
Në Preshevë dhe Bujanoc ka shpërthyer një fenomen i pazakontë, qytetarë të organizuar, të nxitur nga avokatë nga Leskoci, po padisin komunat për asfaltimin e rrugëve pranë pronave të tyre – investime që vetë ata i kanë kërkuar më herët.
Njoftimet e dala nga dy kryetarët, Ardita Sinani dhe Arbër Pajaziti, tregojnë se kjo praktikë po merr përmasa shqetësuese dhe se pas saj qëndrojnë avokatë dhe individë të interesuar për përfitime private. Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, në një njoftim publik ka informuar qytetarët për fillimin e afatit të paraqitjes së kërkesave për regjistrimin e pronave sipas ligjit të ri. Ajo ka ftuar qytetarët të ndjekin procedurat zyrtare dhe të marrin informacione vetëm nga institucionet kompetente, duke nënkuptuar se në terren po qarkullojnë informacione të pasakta dhe manipulime që mund të çojnë në abuzime. Ndërkohë, kryetari i Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka reaguar ashpër ndaj avokatëve dhe matrapazëve që po i bindin qytetarët se mund të përfitojnë para duke paditur komunën për asfaltimin e rrugëve. Pajaziti ka sqaruar se në çdo proces të tillë gjyqësor, të gjitha shpenzimet i mbulon komuna, ndërsa qytetari nuk përfiton asgjë, përveç procedurave të gjata dhe të panevojshme. Sipas tij, të vetmit që fitojnë janë avokatët, të cilët marrin shumfish më tepër se pala e pretenduar “e dëmtuar”. Ai ka paralajmëruar se, në rast të ankesave formale, komuna do të jetë e detyruar ta heqë asfaltin dhe ta kthejë rrugën në gjendjen e mëparshme, në mënyrë që të mos harxhohen fonde publike për procese të kota të nxitura nga interesat individuale. Reagimet e dy kryetarëve e shndërrojnë këtë situatë në një fenomen me ndikim të drejtpërdrejtë në mbarëvajtjen e projekteve publike dhe në marrëdhënien midis qytetarëve dhe institucioneve. Derisa Presheva është fokusuar në procesin ligjor të regjistrimit të pronave, Bujanoci përballet me përpjekje për të transformuar investimet infrastrukturore në burim padish, duke rrezikuar jo vetëm buxhetin komunal, por edhe ritmin e zhvillimit lokal. Në këtë atmosferë të tensionuar, qytetarët ftohen të mos bien pre e manipulimeve të personave që synojnë përfitime të shpejta dhe të pamerituara, por të kërkojnë informim të saktë dhe këshillim të drejtë nga institucionet zyrtare. Institucionet, nga ana e tyre, paralajmërojnë se ky trend mund të ngadalësojë ose ndalojë investimet publike, duke dëmtuar drejtpërdrejt cilësinë e jetës në këto komuna. Situata mbetet në zhvillim dhe pritet që komunat të dalin me sqarime shtesë ligjore në ditët në vijim./LUGINALAJMI/



