Dhjetëra organizata të shoqërisë civile ndër më aktivet në Bujanoc dhe Preshevë, së bashku me media lokale nga këto dy komuna, kanë reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministrit për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe për Dialogun Shoqëror, z. Demo Berisha, i cili gjatë vizitës së tij në Bujanoc tha se “Plani 7 pikësh është tejkaluar” dhe se duhen hapur diskutime për plane të tjera.
Në reagim theksohet se një deklaratë e tillë është e papranueshme dhe e dëmshme, pasi Plani 7 pikësh mbetet një dokument i miratuar dhe detyrues për zbatimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ky plan, i aprovuar në vitin 2013 nga Qeveria e Serbisë pas një procesi të gjatë negociatash dhe me mbështetjen e faktorëve ndërkombëtarë, nuk është një kërkesë politike, por një obligim shtetëror dhe institucional.
Shoqëria civile kujton se Plani 7 pikësh është miratuar unanimisht nga Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, si organi më i lartë vendimmarrës i shqiptarëve në Luginë. Çdo përpjekje për ta relativizuar apo shtyrë zbatimin e tij shihet si shmangie nga përgjegjësitë e marra nga shteti.
Organizatat theksojnë se dokumenti është ende aktual dhe trajton çështje themelore si: përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe dhe simboleve, përfaqësimi proporcional në institucionet publike, zhvillimi ekonomik, arsimi në gjuhën amtare dhe njohja e diplomave. “Deklarata e ministrit Berisha për ‘tejkalimin’ e planit është tentativë për të zvarritur procesin dhe për të krijuar status quo të dëmshme për qytetarët shqiptarë”, thuhet në reagim.
Në tekst theksohet se mbështetja e SHBA-së, BE-së dhe OSBE-së, të cilat morën pjesë në negociatat për këtë plan, i jep atij peshë ndërkombëtare dhe legjitimitet të plotë. Organizatat u bëjnë thirrje institucioneve shtetërore dhe përfaqësuesve politikë të shqiptarëve që të ruajnë unitetin dhe të mos lejojnë relativizimin e dokumentit të vetëm të miratuar zyrtarisht.
Reagimi kujton gjithashtu Marrëveshjen e Konçulit të vitit 2001, të arritur me ndërmjetësimin e NATO-s, si pikë referimi që nuk mund të injorohet. Çdo dokument i ri, sipas tyre, mund të jetë vetëm shtesë apo aneks i planit ekzistues, por jo zëvendësim i tij.
Ky reagim mbështetet nga dhjetëra organizata dhe media lokale, përfshirë:
- Qendra për të Drejtat e Njeriut, Bujanoc
- Kërko të Drejtën Tënde, Preshevë
- Studim Kritik, Bujanoc
- Drejtoria për Inkluizon, Preshevë
- The Future, Bujanoc
- Instituti Demokratik Mozaik, Preshevë
- Qendra për Bashkëveprim, Bujanoc
- Pozitiv 365, Preshevë
- Vizioni, Bujanoc
- CADD, Preshevë
- Femrat, Bujanoc
- Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, Preshevë
- Vizionet Atraktive, Bujanoc
- VLERA, Preshevë
- Qendra për Edukim dhe Demokratizim, Bujanoc
- Vizioni për Zhvillim dhe Kooperim, Preshevë
- Spek3, Bujanoc
- Media Index, Preshevë
- Agreenment, Bujanoc
- Youth Trails, Preshevë