Një grup gazetarësh nga Republika e Shqipërisë ka vizituar Luginën e Preshevës, ku janë takuar me autoritetet lokale për të diskutuar për sfidat dhe mundësitë e zhvillimit në këtë rajon. Pritja e parë u bë në Komunën e Preshevës, ku kryetarja e kësaj komune, Ardita Sinani, shprehu kënaqësinë për praninë e delegacionit. Pas takimit, Sinani ndau një mesazh në Facebook, ku theksoi se vizita e gazetarëve është një dëshmi e rëndësisë së zërit të lirë për të ndriçuar realitetin dhe pozitën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ajo diskutoi për sfidat që përballen banorët, përfshirë diskriminimin sistematik, pasivizimin e adresave dhe mungesën e zhvillimit ekonomik. Po ashtu, ajo theksoi mundësitë që po krijohen për një të ardhme më të mirë dhe falënderoi angazhimin e gazetarëve për pasqyrimin e këtyre çështjeve, si dhe mbështetjen e Ambasadorit të Shqipërisë në Beograd, z. Bardhyl Canaj.
Pas vizitës në Preshevë, gazetarët të udhëhequr nga kryetari i Asociacionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, kanë vizituar edhe Bujanocin. Ata u pritën nga kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, i cili shprehu kënaqësinë për mikpritjen e delegacionit nga e gjithë Shqipëria. Në profilin e tij në Facebook, Pajaziti theksoi se: “Bujanoci ishte një nga qytetet që ka pritur përfaqësuesit e mediave nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, në kuadër të edicionit të 14-të të “Ditëve të Miqësisë të Gazetarëve Shqiptarë”. Ky event tradicional kishte përkrahjen e shquar të ambasadorit shqiptar në Beograd, z. Bardhyl Canaj, si dhe të kryetarit të Shoqatës RessEgnatia, z. Xhimi Vila.”
Një pjesë e programit ishte zhvillimi i një tryeze të diskutimeve me temë “Turizmi dhe Media”, ku u trajtuan potencialet turistike të komunës dhe roli i medias shqiptare në promovimin e tyre. Pajaziti u shpreh i kënaqur me interesimin e madh të gazetarëve për prezantimin e Bujanocit në mediat shqiptare. Po ashtu, gjatë vizitës u ndanë mirënjohje për ata që kontribuojnë në forcimin e miqësisë mes gazetarëve dhe atyre me përvojë. Aktivitetet përfunduan me një shfaqje artistike të organizuar nga anëtarët e SH.K.A. “Zëri i Luginës”, duke ofruar një program të pasur argëtues.
Kjo vizitë e gazetarëve shqiptarë në Luginën e Preshevës dhe Bujanoc u shoqërua me një atmosferë miqësore dhe u theksua rëndësia e bashkëpunimit dhe mbështetjes për avancimin e interesave të shqiptarëve në këto zona./LUGINALAJMI/