Këshilltari opozitar nga radhët e Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Rahim Salihi, ka dalë me kritika të ashpra ndaj qeverisjes lokale në Bujanoc, duke e akuzuar koalicionin aktual për mungesë transparence dhe për thellimin e krizës politike mes partive në pushtet.
Polemikat janë ndezur pas njoftimit se komuna do të shpallë konkurs për punësimin e gjashtë personave me vendime të përhershme në administratën komunale. Sipas Salihit, kjo çështje ka shkaktuar përplasje dhe ndasi të reja mes partnerëve të koalicionit multietnik.
“Qytetarët meritojnë të dinë! Së pari ta dinë se do të shpallet konkurs për 6 vendime të përhershme të punës. Së dyti, qytetarët duhet të informohen se si do të ndahen këto vende pune në administratën komunale të Bujanocit,” ka shkruar Salihi në një postim në rrjetet sociale.
Ai ka vënë në pikëpyetje unitetin dhe koordinimin brenda koalicionit qeverisës, duke pyetur nëse është arritur ndonjë marrëveshje për ndarjen e këtyre pozicioneve sipas përqindjeve të caktuara politike apo etnike: “A do të ndahen edhe këto vendime pune 50%, 40%, 10%?”
Salihi paralajmëroi se nëse shqiptarët në komunë do të përfaqësohen me vetëm 50% të këtyre vendeve pune, kjo jo vetëm që është e dëmshme, por edhe e papranueshme. “Në komunë e institucione lokale po i falim 50% të vendeve që na takojnë – në institucionet shtetërore nuk po marrim asgjë! Koalicion i lirë. I dëmshëm madje!”, theksoi ai.
Kritikat e Salihit shtojnë tensionin politik në Bujanoc, ndërsa opinioni publik pret veprimet e pushtetit lokal ditëve në vijim në lidhje me procesin e punësimit të gjashtë punëtorëve të rinj./LUGINALAJMI/