Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në margjina të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Jerevan, ka zhvilluar takim me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë dhe njëherësh Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Kaja Kallas.
Gjatë këtij takimi, përveç temave që lidhen me situatën politike në rajon, sigurinë dhe procesin e integrimit evropian, një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe çështjes së shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Kryeministri në detyrë Kurti ka ngritur shqetësimet që lidhen me gjendjen e tyre dhe sfidat konkrete me të cilat përballen në përditshmëri, duke i vendosur këto çështje në një kontekst më të gjerë të të drejtave të njeriut dhe standardeve evropiane.
Në këtë kuadër, ai ka theksuar veçanërisht problemin e pasivizimit të adresave, duke e cilësuar atë si një praktikë që prek drejtpërdrejt të drejtat themelore të qytetarëve shqiptarë në këtë rajon. Sipas tij, kjo çështje nuk është vetëm administrative, por ka pasoja konkrete në jetën e qytetarëve, duke ndikuar në statusin e tyre juridik dhe në qasjen në të drejta dhe shërbime bazë.
Njëkohësisht, Kurti ka ngritur edhe çështjen e pamundësisë për ofrimin e mbështetjes financiare nga Qeveria e Kosovës për Luginën e Preshevës, duke e cilësuar këtë si një pengesë që kufizon përpjekjet për zhvillim dhe mbështetje të drejtpërdrejtë për komunitetin shqiptar në këtë rajon.
Takimi është zhvilluar në një frymë konstruktive dhe ka shërbyer për shkëmbim të hapur të pikëpamjeve mbi çështje me interes të përbashkët, duke riafirmuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Në këtë kontekst, përfshirja e çështjeve që prekin shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë në diskutime të këtij niveli shihet si një përpjekje për t’i dhënë më shumë vëmendje ndërkombëtare problemeve me të cilat përballen shqiptarët e Luginës së Preshevës./LUGINALAJMI/



