Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSH) ka hapur katër thirrje publike për mbështetje financiare të projekteve në fusha të ndryshme me interes për komunitetin shqiptar në Luginë të Preshevës dhe Sanxhak.
Sipas kryetarit të KKSH-së, Enkel Rexhepi, të premten ky institucion ka shpallur konkurset për:
- Përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe simboleve kombëtare – për promovimin, mbrojtjen dhe fuqizimin e përdorimit të tyre në komunat e Luginës së Preshevës dhe në Sanxhak;
- Artin, kulturën dhe trashëgiminë kulturore shqiptare – për projektet që ruajnë dhe zhvillojnë identitetin kulturor;
- Informimin dhe përmbajtjet mediatike në gjuhën shqipe – për mbështetjen e mediave dhe nismave të informimit publik në shqip;
- Organizatat dhe shkollat sportive – për projektet që zhvillojnë sportin dhe përfshirjen rinore në Luginën e Preshevës.
Këto konkurse janë shpallur në kuadër të programit të Qeverisë së Kosovës për “Përkrahje për Luginën e Preshevës dhe Sanxhakun”, me mjete të ndara nga buxheti i saj për vitin 2025.
Afati për aplikim në të katër thirrjet është deri më 14 nëntor 2025, ora 15:00, ndërsa vlera e përgjithshme e mjeteve është 700 mijë euro.
Kujtojmë se kjo është hera e dytë që Këshilli Kombëtar Shqiptar shpall konkurse të tilla për organizata, media, shkolla dhe institucione kulturore. Iniciativa e parë për financim të qëndrueshëm u ndërmor në vitin 2022 nga ish-kryetari Ragmi Mustafi, por u ndërpre pas ndryshimit të udhëheqjes së institucionit të KKSH-së, gjë që ky institucion ndryshoi në stratosferë funskionimin dhe strategjinë e vet./LUGINALAJMI/
Më poshtë janë thirrjet:
THIRRJE PUBLIKE PËR MBËSHTETJE TË PROJEKT-PROPOZIMEVE NË FUSHËN E PËRDORIMIT ZYRTAR TË GJUHËS SHQIPE DHE SIMBOLEVE KOMBËTARE
THIRRJE PUBLIKE PËR MBËSHTETJEN E PROJEKT-PROPOZIMEVE NË FUSHËN E INFORMIMIT, TË PËRMBAJTJEVE MEDIATIKE NË GJUHËN SHQIPE NË LUGINË TË PRESHEVËS DHE SANXHAK
THIRRJE PUBLIKE PËR MBËSHTETJEN E PROJEKT-PROPOZIMEVE NË FUSHËN E ARTIT, KULTURËS DHE TRASHËGIMISË KULTURORE SHQIPTARE NË LUGINË TË PRESHEVËS DHE SANXHAK
THIRRJE PUBLIKE PËR MBËSHTETJE TË PROJEKT PROPOZIMEVE TË ORGANIZATAVE DHE SHKOLLAVE SPORTIVE



