Në Shtëpinë e Shëndetit në Bujanoc, duke filluar nga kjo e shtunë, nisin kontrollet falas të skriningut për kancerin e gjirit për gratë e moshës 45 deri në 74 vjeç. Në kuadër të programit kombëtar për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, në Bujanoc do të qëndrojë mamografi mobil i Qendrës Klinike të Nishit, shkruan “Bujanovacke”, përcjell LUGINALAJMI.
Institucioni shëndetësor nis zyrtarisht zbatimin e mamografisë së organizuar, ndërsa për kryerjen e kontrollit mjafton letërnjoftimi dhe libreza shëndetësore, e cila nuk është e nevojshme të jetë e verifikuar.
Drejtoresha e Shtëpisë së Shëndetit, dr. Daliborka Pavloviq, tpër portalin serb të qytetit, ka theksuar që synimi është që brenda një kohe sa më të shkurtër të kontrollohet një numër sa më i madh i grave, duke qenë se mamografi mobil do të qëndrojë në Bujanoc aq ditë sa të jetë e nevojshme.
Teknikët radiologë nga Qendra Klinike e Nishit do të angazhohen në terren, ndërsa imazhet do të lexohen në Nish, me lexim të dyfishtë, që do të thotë se çdo rezultat analizohet nga dy radiologë. Ditët e fundit shërbimi i patronazhit ka përgatitur një listë me rreth 600 gra, por thirrja është e hapur edhe për të gjitha të tjerat që dëshirojnë të kryejnë kontrollin, tha dr. Pavlović.
Gratë që nuk janë evidentuar përmes infermiereve të patronazhit mund të caktojnë termin përmes numrave të mëposhtëm:
062/800 61 06 – shërbimi i gjinekologjisë
060/019 41 93 – shërbimi i patronazhit
Kontrollet janë falas dhe bëjnë pjesë në përpjekjet institucionale për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, një nga sëmundjet më të shpeshta tek gratë./LUGINALAJMI/



