-Foto N.M. fb-
Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Dialogun Shoqëror, Demo Berisha, gjatë vizitës së tij në Bujanoc, deklaroi se “Plani shtatëpikësh” i miratuar në vitin 2013 nuk i përgjigjet më realitetit aktual dhe se Ministria që ai udhëheq ka filluar punën për një dokument të ri.
“Shumë gjëra kanë ndryshuar që nga viti 2013 – në strukturë, punësim dhe fusha të tjera. Ky plan është tejkaluar dhe koha e ka bërë të pazbatueshëm. Ministria po përgatit një propozim të ri, duke përfshirë edhe sugjerimet që kemi marrë nga kryetari i komunës së Bujanocit”, theksoi Berisha.
Gjatë takimit, kryetari i komunës, Arbër Pajaziti, i dorëzoi ministrit një dokument me 10 pika, të cilat i konsideroi kyçe për ndërtimin e besimit mes institucioneve lokale dhe atyre shtetërore.
Një nga temat kryesore ishte edhe çështja e mjeteve të siguruara nga Qeveria e Kosovës për subvencionimin e bujqve shqiptarë në Bujanoc dhe Preshevë, të cilat aktualisht janë të bllokuara. Berisha tha se problemi lidhet me një vendim gjyqësor në Nish, por se do të angazhohet që kjo çështje të hapet në Qeveri për të gjetur mënyra që fondet të deblokohen dhe të shfrytëzohen për qëllimin e tyre.
“Do të shohim nëse mjetet mund të kalojnë përmes organeve komunale apo mekanizmave të tjerë, por e rëndësishme është që ato të përdoren nga bujqit, për të cilët janë dedikuar”, tha ministri.
Berisha po ashtu theksoi se dialogu me Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve është i domosdoshëm për adresimin e çështjeve të komunitetit dhe se është i gatshëm për bashkëpunim në çdo kohë./LUGINALAJMI/