Kryetari i Lëvizjes së Progresit Demokratik, Shqiprim Musliu, ka reaguar ndaj deklaratës së Ministrit për të Drejtat e Njeriut dhe Dialog Shoqëror, Demo Berisha, i cili ka thënë se “Plani shtatëpikësh” është i tejkaluar dhe se ka ardhur koha për një plan të ri të integrimit të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
Musliu e ka cilësuar këtë qasje si rrezik për çështjet themelore të shqiptarëve në rajon, duke thënë se “shqiptarët e ndershëm bashkë me vazalët e tyre” po përpiqen të ndryshojnë drejtimin politik, duke iu referuar dorëzimit nga kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, të një kërkese 10-pikëshe ministrit Berisha.
Në reagimin e tij, Musliu e quan këtë “defilim të politikanëve serbë, të mbështetur nga shqiptarë pro Beogradit zyrtar”, që sipas tij është një tentim për tjetërsimin e kauzave shqiptare, të cilat mbesin të pazgjidhura për më shumë se tri dekada, pavarësisht marrëveshjeve politike të ndërmjetësuara nga faktori ndërkombëtar, nga Marrëveshja e Konçulit e deri më sot.
Ai rikujtoi se shqiptarët vazhdojnë të përballen me diskriminim skajor, pasivizim të adresave, mosnjohje të diplomave dhe mungesë të theksuar të përfaqësimit në institucionet shtetërore, ndonëse përbëjnë 30% të popullsisë së Rrethit të Pçinjës, ndërsa përfaqësimi i tyre në administratën shtetërore nuk e kalon as 1%.
Musliu thekson se përfaqësuesit e zgjedhur në Kuvendin e Këshilltarëve Shqiptarë janë të vetmit që kanë legjitimitet për të vendosur mbi dokumentet politike, ashtu siç kanë vepruar më herët me platformën politike të vitit 2006, me Masat urgjente për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve të vitit 2013 dhe vendimin për Asociacionin mbi parimin e reciprocitetit të vitit 2015.
“Për ne, këto janë dhe do të mbeten dokumentet bazë për integrim, deri në realizimin e vullnetit të shprehur në referendumin e vitit 1992”, ka përfunduar Musliu./LUGINALAJMI/