Njoftimi i zyrtarëve të Bashkimit Evropian, respektivisht përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen nga zëvendëskryeministri i parë në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, për bllokimin e mjeteve të destinuara për komunitetin shqiptar në Luginë, ka marrë sot edhe mbështetjen e deputetit popullor në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Në reagimin e tij, Kamberi ka theksuar se deklarata e Bislimit vetëm sa ka bërë publike atë që ai vetë dhe përfaqësuesit shqiptarë e kanë denoncuar prej vitesh: se diskriminimi ndaj shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë nuk është i rastësishëm dhe as procedural, por i ndërtuar në mënyrë sistematike dhe të organizuar.
Ai ka rikujtuar se sot 3,650 nxënës shqiptarë në Luginë po përdorin 35,448 tekste shkollore të financuara nga Qeveria e Kosovës, ndërkohë që pagesa përkatëse është refuzuar tri herë nga banka pranuese në Serbi, përmes një kodi pa shpjegim dhe pa asnjë arsyetim ligjor apo teknik. Për Kamberin, kjo tregon qartë arbitraritetin administrativ me të cilin shteti serb i trajton çështjet që lidhen me komunitetin shqiptar.
Ai ka shtuar se këto praktika nuk përbëjnë gabime bankare, por metoda të qëllimshme për të bllokuar mbështetjen për shqiptarët e Luginës. Sipas tij, e njëjta logjikë është parë edhe në anulimin e vendimit për subvencionet bujqësore, si dhe në vonesat e shpeshta që prekin funksionimin e institucioneve shqiptare.
Kamberi vlerëson se njoftimi i Bislimit ka peshë të madhe politike, sepse e çon çështjen në nivel ndërkombëtar dhe e vendos në fokus të Bashkimit Evropian dhe të zyrave të tij përfaqësuese.
Në përfundim, ai thekson se beteja politike dhe institucionale do të vazhdojë, me qëllimin që çdo fëmijë, familje dhe qytetar i Luginës të trajtohet me dinjitet dhe barazi, sipas standardeve që Serbia pohon se i respekton./LUGINALAJMI/



