Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti,
ka njoftuar përmes një postimi në rrjetet sociale se janë identifikuar personat që kanë shkruar grafite me përmbajtje nxitëse në sheshin e qytetit.
“Autorët e grafiteve në Bujanoc janë identifikuar dhe tashmë po procedohen tek Prokuroria Publike”, ka shkruar Pajaziti, duke shtuar se bëhet fjalë për tre persona – D.I, S.I dhe N.S – të njohur për aktivitete të dyshimta.
Sipas konfirmimit nga Stacioni Policor në Bujanoc, ndaj tyre është inicuar procedurë penale për “dëmtim të pronës publike dhe nxitje të urrejtjes ndëretnike”, pasi grafitet kishin të bënin me emrin e të dënuarit për krime lufte, Ratko Mladiq.
Pajaziti ka theksuar se identifikimi i autorëve u bë i mundur falë bashkëpunimit të komunës me policinë dhe reagimit të shpejtë të saj pas një video-mesazhi që i kishte dërguar një qytetar.
“Kjo është dëshmi se vetëm përmes bashkëpunimit me institucionet mund të sigurojmë qetësi dhe siguri për të gjithë. Falenderime të veçanta i shkojnë qytetarit që dha shembullin e duhur,” ka theksuar kryetari i Bujanocit, duke inkurajuar edhe qytetarët e tjerë të denoncojnë çdo dukuri negative./LUGINALAJMI/



