Sot, në Bujanoc, u përkujtua figura dhe kontributi i Rexhep Hasanit, sekretarit të parë të Partisë për Veprim Demokratik (PVD), në 31-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta. Ai ishte një nga organizatorët e parë të strukturave politike shqiptare në Luginë dhe një zë i fuqishëm në mbrojtjen e arsimit shqip në kohë të represionit të regjimit të Millosheviqit.
Në këtë përvjetor, përfaqësues të Degës së PVD-së në Bujanoc, së bashku me kryetarin Shaip Kamberi, bënë homazhe dhe nderuan kujtimin e tij.
“31 vjet pa Rexhën!”, shkroi Kamberi, duke kujtuar se Rexhep Hasani u dallua për guximin, vizionin dhe vullnetin e pashoq për të çuar përpara kauzat politike të shqiptarëve në një periudhë të errët për Luginën.
Rexhep Hasani ishte pjesë e çdo nisme të rëndësishme për të drejtat e shqiptarëve dhe mbetet një figurë simbol për PVD-në dhe më gjerë – një njeri që jetoi për idealin dhe veproi me përkushtim në shërbim të komunitetit./LUGINALAJMI/