Në Tiranë po zhvillohet Konferenca e Ambasadorëve “Shqipëria 2030: Në Evropë, e ndërlidhur me botën”, ku për tre ditë me radhë diplomatët shqiptarë të akredituar në botë diskutojnë për integrimin evropian, diplomacinë ekonomike dhe çështjet e sigurisë rajonale e globale.
Në këtë ngjarje merr pjesë edhe kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, njëherësh deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë. Në fjalën e tij, Kamberi falënderoi Qeverinë e Shqipërisë dhe Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, për hapësirën e dhënë çështjes së Luginës së Preshevës.
Ai shprehu kënaqësinë për përparimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE, por njëkohësisht ngriti shqetësimin për përkeqësimin e pozitës së shqiptarëve në Luginë, si pasojë e stagnimit të Serbisë në rrugën e saj eurointegruese.
Kamberi veçoi problemet kryesore me të cilat përballen shqiptarët në Luginë: pasivizimin e adresave, mosnjohjen e diplomave, mungesën e decentralizimit dhe stagnimin ekonomik, të cilat sipas tij po shkaktojnë shpopullimin e rajonit. Ai kritikoi “politikën e standardeve të dyfishta” të Serbisë, e cila kërkon të drejta për serbët në rajon, por nuk i garanton ato për pakicat brenda vendit.
Deputeti shqiptar kërkoi angazhim më të madh diplomatik nga Shqipëria dhe Kosova, duke theksuar domosdoshmërinë e trajtimit të çështjes së Luginës në Këshillin e Evropës dhe OSBE. Po ashtu, ai rikujtoi nevojën për zbatimin e vendimit të dy qeverive shqiptare për krijimin e Fondit të përbashkët investiv për Luginën e Preshevës.
“Për shqiptarët, ndryshe nga të tjerët, e ardhmja evropiane mbetet qëllimi i përbashkët – pa alternativë tjetër”, theksoi Kamberi./LUGINALAJMI/



