Deputetja e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Sara Mila, ka qëndruar në Preshevë në kuadër të turit rajonal “EUth Balkans – Regional Youth Consultation Tour”, ku ka zhvilluar një takim me të rinjtë e kësaj komune.
Pas takimit, Mila ka ndarë përshtypjet e saj përmes një postimi, duke e cilësuar takimin me të rinjtë e Preshevës si të veçantë dhe me ndikim të thellë. Ajo ka theksuar se nuk bëhej fjalë për një takim formal apo simbolik, por për një dialog të hapur, të sinqertë dhe energjik, pa podiume dhe pa role të shtirura.
Sipas saj, të rinjtë e Preshevës shfaqën vetëdije politike, dëshirë për përfshirje aktive dhe vullnet për të mos mbetur më vetëm spektatorë në proceset shoqërore dhe politike. Në fokus të diskutimeve kanë qenë politika, e ardhmja evropiane dhe sfidat e përbashkëta të rajonit, pa frikë dhe pa komplekse.
Mila ka vlerësuar se Presheva nuk është vetëm ndalesa e parë e këtij turi rajonal, por një kujtesë e fortë se rinia e Ballkanit Perëndimor është e qartë për rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, duke e përshkruar realitetin e takimit me moton “Young, Loud & European”.
Në një postim tjetër, deputetja shqiptare ka shprehur mirënjohjen dhe frymëzimin e saj nga të rinjtë, duke theksuar se zgjedh gjithmonë guximtarët, idealistët dhe të vërtetët, si forcën më elektrizuese të gjeneratës që synon të thyejë zinxhirët e padrejtësive dhe të krijojë hapësirë për zhvillim dhe shpresë.
Gjatë vizitës në Preshevë, Sara Mila është takuar edhe me kryetaren e Komunës, Ardita Sinani, e cila njoftoi se në takim u diskutua për përfshirjen e të rinjve në vendimmarrje, bashkëpunimin rajonal dhe shfrytëzimin e mekanizmave evropianë për zhvillim të qëndrueshëm./LUGINALAJMI/



