Nisma e kongresmenit amerikan Keith Self, nga e cila është prezantuar Akti për Vlerësimin e Diskriminimit në Luginën e Preshevës, që synon të trajtojë mënyrën se si autoritetet serbe u qasen të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ka nxitur reagime edhe në Luginë. Në lidhje me këtë zhvillim ka reaguar deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin republikan, Shaip Kamberi.
Në një reagim në facebook, Kamberi ka përshëndetur këtë nismë, duke theksuar se Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka miratuar rezolutën H.R. 6411, e cila i kushtohet të drejtave etnike dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Sipas tij, kjo përbën një qëndrim të qartë institucional të SHBA-së ndaj trajtimit të shqiptarëve në jug të Serbisë, ndërsa rezoluta pritet të kalojë edhe në vetë Kongresin amerikan.
Kamberi ka shprehur mirënjohje të veçantë për kongresmenin Keith Self, kryetar i Nënkomitetit për Evropë, për iniciativën dhe lidershipin e tij, si dhe për mbështetjen dypartiake të kryetarit të Komitetit të Punëve të Jashtme, Brian Mast, dhe anëtarit të renditjes, Gregory Meeks.
Ai ka theksuar se ky zhvillim është rezultat i një përpjekjeje të gjatë që ka nisur që nga viti 2001, me mbështetjen e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe të Joe dhe Shirley DioGuardi, e deri te angazhimi i vazhdueshëm i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veçanërisht përmes organizatës Albanians For America.
Sipas Kamberit, bëhet fjalë për një betejë të gjatë dhe të drejtë, e cila sot po jep rezultate konkrete. Ai ka vlerësuar se Shtetet e Bashkuara po kërkojnë përgjegjësi ligjore dhe politike nga Beogradi për diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Zëri ynë u dëgjua,” ka shkruar Kamberi, duke shtuar se puna e bërë ndër vite, si dhe mbështetja e Qeverisë së Kosovës për Luginën e Preshevës, tashmë po reflektohen edhe në nivelet më të larta ndërkombëtare./LUGINALAJMI/



