Refuzimi i mirënjohjes së Qeverisë së Serbisë nga deputeti popullor Shaip Kamberi nuk është pritur mirë nga kryetari i Rasijetit të myslimanëve në Serbi, Nexhmedin Saqipi – Mulla Dinka dhe kryetari i Lëvizjes për Reforma në Preshevë, Sami Salihu.
Thuajse në të njëjtën kohë dhe nw sikronizim, ndonëse secili me thekse të ndryshme, qw të dy kanë reaguar publikisht duke kritikuar kryetarin e Partisë për Veprim Demokratik për vendimin që ia ktheu mbrapsht Qeverisë së Serbisë mirënjohjen e ndarë nga Trupi Koordinues. Me këto reagime, fokusi i debatit është zhvendosur nga përgjegjësia e institucioneve shtetërore serbe te vetë akti i kundërshtimit politik.
Në qëndrimet e tyre, si Saqipi ashtu edhe Salihu janë përpjekur ta paraqesin refuzimin e mirënjohjes jo si një akt parimor, por si një veprim të vonuar dhe politikisht të paqëndrueshëm. Saqipi, duke iu referuar rolit të mëhershëm të përfaqësuesve shqiptarë në Trupin Koordinues, ka tentuar ta relativizojë kritikën ndaj këtij institucioni, duke e zhvendosur vëmendjen nga problemet aktuale te e kaluara politike e vetë Kamberit.
Në këtë mënyrë, në vend që të flitet për moszbatimin e Planit shtatëpikësh, për stagnimin e buxhetit apo për pasojat konkrete që këto dështime kanë në jetën e përditshme të qytetarëve, theksi vihet te fakti se shqiptarët kanë qenë pjesë e këtij institucioni ndër vite – si të ishte kjo një arsye për heshtje, e jo për llogaridhënie.
Nga ana tjetër, Sami Salihu ka zgjedhur ta fokusojë reagimin e tij te përplasjet e brendshme politike, duke vënë në pikëpyetje autoritetin e Shaip Kamberit brenda partisë së tij. Në këtë qasje, problemi kryesor nuk duket të jetë qëndrimi i Qeverisë së Serbisë ndaj shqiptarëve të Luginës, por mënyra se si është shprehur kundërshtimi dhe nëse ai është ndjekur njësoj nga të gjithë brenda PVD-së.
Të dy këto reagime, secili në mënyrën e vet, shmangin thelbin e debatit: pse një institucion shtetëror, pas 25 vitesh ekzistence, vazhdon të mos i përmbushë obligimet ndaj komunitetit shqiptar. Në vend të një ballafaqimi me këtë realitet, kritika është drejtuar ndaj atij që guxoi ta sfidojë simbolikisht Beogradin.
Për shumëkënd, kjo tregon se problemi nuk qëndron te refuzimi i mirënjohjes, por te fakti që dikush ka zgjedhur të thotë “jo” publikisht dhe pa ekuivoke një politike që prej vitesh ka prodhuar më shumë stagnim sesa integrim./LUGINALAJMI/



