Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, në një intervistë për KosovaPress ka deklaruar se shqiptarët në Luginën e Preshevës vazhdojnë të përballen me diskriminim institucional nga shteti serb, duke përmendur mungesën e punësimit në institucionet shtetërore, pasivizimin e adresave dhe mungesën e barazisë në përfaqësim.
Ai ka theksuar se raportet me serbët lokalë janë të mira, ndërsa problemet kryesore vijnë nga institucionet qendrore të Serbisë. Pajaziti ka folur edhe për gjendjen e rënduar financiare të komunës, borxhet e trashëguara dhe buxhetin e kufizuar për investime.
Duke folur për fondet e ndara nga Qeveria e Kosovës për Luginën e Preshevës, Pajaziti ka shprehur pakënaqësi për mungesën e rezultateve konkrete në terren, duke deklaruar se milionat e ndara ndër vite nuk po reflektohen në projekte të dukshme për qytetarët dhe se një pjesë e mjeteve janë bllokuar apo janë keqmenaxhuar.
Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar Ragmi Mustafi nga Partia për Veprim Demokratik (PVD), i cili e ka kritikuar ashpër Pajazitin për bashkëqeverisje me SNS-in dhe partitë serbe. Në një reagim publik, Mustafi ka deklaruar: “Po ti o i mjer çka je tuj bo në koalicion me SNS-in e Vuçeviqit!? Ke marrë rrugën e Shqiprim Arifit”, duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin politik dhe qëndrueshmërinë e deklaratave të kryetarit të Bujanocit./LUGINALAJMI/
Më poshtë e gjeni të plotë intervistën e kryetarit të Bujanocit, Arbër Pajaziti:
youtube.com/watch?v=D7T2NLepQY4&embeds_referring_euri=https%3A%2F%2Fkosovapress.com%2F&source_ve_path=MjM4NTE



