Kryetari i Degës së Partisë për Veprim Demokratik në Bujanoc, Ragmi Mustafi, ka reaguar ndaj takimit të zhvilluar një ditë më parë në Beograd ndërmjet presidentit të Serbisë dhe krerëve të institucioneve lokale nga Bujanoci, duke iu referuar shkuarjes së Arbër Pajaziti dhe Driton Rexhepi në Presidencë me shprehjen “si Syla n’Bilaç”, duke lënë për të kuptuar se takimi nuk ka sjellë asnjë rezultat konkret për qytetarët. Reagimi i tij erdhi pas takimit që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, zhvilloi me kryetarin e Komunës së Bujanocit dhe kryetarin e Kuvendit Komunal.
Sipas kronologjisë së paraqitur nga Mustafi në rrjetet sociale, takimi i mbajtur në orën 09:00 të mëngjesit ka zgjatur më pak se 15 minuta, përfshirë edhe kohën e pranisë së mediave, gjë që sipas tij tregon se qëllimi kryesor nuk ka qenë trajtimi i problemeve, por prodhimi i një lajmi mediatik. Ai thekson se raportimi i gjerë nga agjencia shtetërore “Tanjug”, me disa lajme dhe video për një takim kaq të shkurtër, sipas tij tregon për një shpërndarje të koordinuar të një mesazhi politik, ku në fokus vendosen emra shqiptarë në zyrën e presidentit, pa u trajtuar çështjet reale të komunitetit.
Në vijim të reagimit të tij, Mustafi vlerëson se në raportimet zyrtare në Serbi takimi është lidhur kryesisht me konsultimet për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, dhe jo me nevojat konkrete të qytetarëve të Bujanocit. Ai thekson se temat kyçe si arsimi në gjuhën shqipe, infrastruktura, furnizimi me ujë apo çështja e pasivizimit të adresave nuk kanë qenë në fokus, por janë përdorur si sfond për një proces më të gjerë politik në nivel shtetëror.
Një tjetër pikë që ai ngre lidhet me përfaqësimin në takim. Sipas Mustafit, edhe pse në takim kanë marrë pjesë përfaqësues institucionalë të komunës, ai në komunikimin publik është paraqitur si takim me Alternativën për Ndryshim, duke krijuar, sipas tij, një perceptim të gabuar të përfaqësimit politik. Ai vlerëson se nëse takimi do të ishte në këtë kuadër, do të duhej të kishte edhe përfaqësim më të gjerë nga subjektet politike shqiptare.
Në analizën e tij, Mustafi i referohet edhe komunikimit të vetë presidentit Vuçiq, i cili e ka vendosur takimin në kontekstin e konsultimeve të tij të brendshme politike, duke publikuar vetëm disa fotografi dhe një përshkrim të shkurtër në rrjetet sociale. Sipas tij, kjo tregon se takimi nuk është trajtuar si diskutim për çështje komunitare, por si pjesë e një agjende më të gjerë politike.
Në përfundim të reagimit, ai vlerëson se përfitimi real nga ky takim nuk është për qytetarët e Bujanocit, të cilët, sipas tij, vazhdojnë të përballen me probleme të shumta, por për aktorët që synojnë të krijojnë një imazh të përfshirjes përmes prezencës simbolike të përfaqësuesve shqiptarë në takime të tilla, duke e përmbledhur situatën me shprehjen “si Syla n’Bilaç”.
Ndryshe, gjatë ditës së djeshme, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka pritur në takim përfaqësuesit e Alternativës për Ndryshim nga Bujanoci, përkatësisht kryetarin e komunës Arbër Pajaziti dhe kryetarin e Kuvendit Komunal Driton Rexhepi. Takimi është zhvilluar në kuadër të konsultimeve që presidenti po mban me subjekte të ndryshme politike lidhur me shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, ndërsa sipas deklarimeve të kryetarit Pajaziti, në takim janë diskutuar edhe problemet me të cilat përballen qytetarët e Bujanocit dhe shqiptarët në përgjithësi./LUGINALAJMI/



