Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg ka regjistruar për herë të parë një padi kundër Serbisë që lidhet me praktikën e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Lajmi është bërë i ditur nga avokati Drini Grazhdani, i cili ka njoftuar se çështja tashmë është pajisur me numër aplikimi nga gjykata në Strasburg. Sipas tij, padia është paraqitur në emër të Teuta Fazliut dhe ka të bëjë me shkelje të të drejtave të njeriut si pasojë e procesit të pasivizimit të adresave.
Grazhdani e ka cilësuar këtë praktikë si sistematike dhe me pasoja të drejtpërdrejta për komunitetin shqiptar. Sipas tij, pasivizimi i adresave nuk është një veprim formal administrativ, por një masë që prodhon pasoja konkrete juridike dhe sociale. Qytetarët e prekur humbasin mundësinë për pajisje me letërnjoftim apo pasaportë të re, rrezikojnë të drejtën e pensionit dhe sigurimit shëndetësor, si dhe të drejtën e votës.
Avokati e ka përshkruar këtë praktikë si “spastrim etnik administrativ”, duke theksuar se ajo prek jo vetëm personat që jetojnë jashtë vendit, por edhe qytetarë që banojnë brenda territorit të Serbisë.
Regjistrimi i padisë konsiderohet nga ai si një hap procedural i rëndësishëm, duke pasur parasysh se Gjykata e Strasburgut refuzon shumicën dërrmuese të kërkesave që në fazën fillestare të shqyrtimit.
Sipas deklarimeve publike, objektivi i paditësit është që Gjykata të aplikojë procedurën e vendimit pilot, sipas Rregullës 61, në mënyrë që një vendim eventual të mos mbetet vetëm në nivel individual, por të adresojë praktikën në tërësi dhe të detyrojë ndërprerjen e saj në të gjitha rastet e ngjashme.
Njëkohësisht, është bërë thirrje që të gjithë personat e prekur nga pasivizimi i adresave të ndjekin procedurat ligjore brenda sistemit juridik të Serbisë, edhe në rastet kur ato përfundojnë me refuzim, në mënyrë që të plotësohen kushtet për t’iu drejtuar instancave ndërkombëtare.
Regjistrimi i kësaj padie shënon herën e parë që çështja e pasivizimit të adresave në Luginën e Preshevës arrin në nivelin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndërsa mbetet të shihet nëse rasti do të kalojë fazën e pranueshmërisë dhe do të shqyrtohet në themel./LUGINALAJMI/



