Kryqyteti shqiptar, Tirana është kthyer këto dy-tri ditë në një pikë takimi për shqiptarët nga të gjitha trevat, në kuadër të Samitit të IV të Diasporës, i cili po zhvillohet me moton “Përmes rrënjëve lartësohemi”. Ngjarja ka mbledhur qindra përfaqësues nga mbarë bota dhe do të zgjasë deri më 15 prill.
Në ceremoninë e mirëseardhjes, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, vlerësoi diasporën shqiptare si ambasadorin më të mirë të identitetit kombëtar, duke theksuar rolin e saj në ruajtjen dhe promovimin e vlerave shqiptare kudo në botë.
Ceremonia hapëse, e mbajtur në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, u konceptua si një udhëtim simbolik mes historisë dhe së ardhmes së shqiptarëve, duke rikujtuar figurat e shquara të Rilindjes si Naum Veqilharxhi, Thimi Mitko dhe Pashko Vasa, si dhe personalitete të rëndësishme si Fan Noli dhe Faik Konica.
Në këtë samit po marrin pjesë edhe përfaqësues shqiptarë nga Lugina e Preshevës, të cilët kanë theksuar rëndësinë e këtij organizimi për bashkimin dhe artikulimin e çështjeve të shqiptarëve jashtë Shqipërisë.
Deputeti popullor Shaip Kamberi u shpreh se samiti ka bërë bashkë shqiptarët nga të gjitha trojet, duke e cilësuar pjesëmarrjen si një mundësi për të paraqitur situatën politike dhe sfidat me të cilat përballet Lugina e Preshevës.
Ndërkohë, kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, theksoi se pjesëmarrja në këtë samit është një përgjegjësi e madhe, pasi përfaqëson një hapësirë me peshë të veçantë historike dhe kombëtare. Ajo nënvizoi se gjatë këtij samiti do të kërkojë që çështjet e diskriminimit dhe sfidat me të cilat përballet Lugina të trajtohen me seriozitet dhe të shndërrohen në një zë të përbashkët.
Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, bëri të ditur se samiti ka krijuar mundësi për takime dhe shkëmbim idesh me bashkëkombas nga e gjithë bota, me qëllim forcimin e lidhjeve zhvillimore dhe bashkëpunimit me diasporën.
Samiti i Diasporës po zhvillohet përmes një sërë panelesh dhe aktiviteteve, ku përfaqësues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe diaspora diskutojnë për sfidat dhe perspektivat e përbashkëta, duke synuar forcimin e lidhjeve kombëtare dhe zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve shqiptare kudo që ndodhen./LUGINALAJMI/







