Në Shkollën Fillore “Naim Frashëri” në Bujanoc është vendosur gurthemeli për ndërtimin e sallës së re sportive, duke shënuar fillimin e një projekti të shumëpritur për nxënësit dhe komunitetin lokal.
Sipas njoftimeve zyrtare, ky investim në vlerë prej 550 mijë eurove realizohet me mbështetjen financiare të Bashkisë së Tiranës dhe kryetarit të saj, Erion Veliaj, ndërsa konsiderohet si një ndër projektet më të rëndësishme në përmirësimin e infrastrukturës arsimore në këtë komunë.
Nga Shkolla Fillore “Naim Frashëri” është vlerësuar se bëhet fjalë për një moment të veçantë, duke theksuar se ndërtimi i sallës sportive përfaqëson realizimin e një nevoje të kahmotshme dhe një hap të rëndësishëm për të ardhmen e nxënësve. Në reagimin e saj, shkolla ka shprehur mirënjohje për të gjithë kontribuuesit dhe për përkrahjen institucionale që ka bërë të mundur fillimin e këtij projekti.
Ndërkohë, kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka theksuar rëndësinë e këtij investimi për zhvillimin e të rinjve dhe përmirësimin e kushteve në arsim, duke e cilësuar si një projekt që reflekton bashkëpunimin ndërinstitucional.
Në të njëjtën kohë, ish-kryetari i Kuvendit Komunal, Enver Ramadani, përmes një reagimi publik ka rikujtuar se ai ka qenë nismëtari i këtij projekti, duke theksuar se ideja fillestare, përgatitja e projekt-dokumentacionit dhe sigurimi i fondeve nga Bashkia e Tiranës janë realizuar që në vitin 2023, në kuadër të bashkëpunimit përmes Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon.
Sipas tij, fondet për ndërtimin e sallës sportive ndodhen në llogarinë e Komunës së Bujanocit që nga fillimi i vitit 2024, ndërsa realizimi i projektit është rezultat i një pune të gjatë dhe bashkëpunimi institucional ndër-shqiptarë.
Megjithatë, në opinion është vërejtur se, pavarësisht këtij kontributi të theksuar, Ramadani nuk është përmendur gjatë ceremonisë së vendosjes së gurthemelit.
Ndërtimi i sallës sportive pritet të krijojë kushte më të mira për zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe edukative, duke u ofruar nxënësve hapësira moderne dhe mundësi të reja për zhvillim./LUGINALAJMI/



