Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se do të pranojë kandidaturën për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, vetëm nëse hulumtimet tregojnë se nuk ekziston një alternativë tjetër për fitore në zgjedhje.
Në një intervistë për TV Kurir, Vuçiq theksoi se një vendim i tillë do të merret në mënyrë racionale dhe në konsultim me faktorë të tjerë politikë.
“Do ta pranoj kandidaturën për kryeministër vetëm nëse sondazhet tregojnë se nuk ka zgjidhje tjetër dhe se dikush tjetër do të fitonte nëse unë nuk kandidoj”, ka deklaruar ai.
Ai shtoi se vendimi përfundimtar do të merret pasi të dëgjohen edhe mendimet e të tjerëve, duke e cilësuar këtë si një qasje të arsyeshme ndaj situatës politike.
Duke folur për zhvillimet politike dhe takimet e mbajtura në Presidencë, përfshirë temat që lidhen me zgjedhjet dhe orientimin e jashtëm të Serbisë, Vuçiq ka komentuar edhe raportet me aktorë të ndryshëm politikë dhe ndërkombëtarë.
Ai ka kritikuar disa përfaqësues politikë për, siç tha, mungesë gatishmërie për dialog të brendshëm, duke theksuar se disa prej tyre preferojnë të zhvillojnë takime me zyrtarë ndërkombëtarë, ndërkohë që shmangin komunikimin me institucionet vendore.
“Unë gjithmonë kam qenë për dialog dhe nuk kam pasur asgjë kundër tij, por dialogu nënkupton që edhe unë kam të drejtë të them atë që mendoj”, ka deklaruar Vuçiq.
Ai shtoi se dialogu duhet të jetë i ndërsjellë dhe se nuk do të pranojë një qasje ku, sipas tij, ai trajtohet në mënyrë të njëanshme në debatet politike.
Deklaratat e presidentit vijnë në një periudhë kur në Serbi po zhvillohen diskutime për mundësinë e zgjedhjeve dhe për konfigurimin e ardhshëm politik, përfshirë edhe mundësinë e ndryshimeve në ekzekutiv./LUGINALAJMI/



