Dobrosini është një fshat kodrinor –malor në Komunën e Bujanocit andaj është prej vendbanimeve me më së paku tokë të punueshme bujqësore. Dikur veprimtaritë kryesore ishin blegtoria dhe shitja e drunjëve meqë pakë kush posedonte mbi një hektarë tokë. E kush kishte më tepër konsiderohej njeri i kamun. Pra, deri në fillim të nëntëdhjetave të shekullit të kaluar, çmimi i metrit katrorë të tokës bujqësore ishte ndër më të shtrenjtit në rajon, ndërsa blerësit ishin kryesisht ata që kishin familjarë që punonin në botën e jashtme, apo më vonë, ata që ishin të zotë në mbledhjen e këpurdhave, biznes ky i cili mori hovë nga mesi i viteve tetëdhjeta të shekullit të kaluar, nga i cili familjet e këtij fshati blenin paisjet për makineri bujqësore, i bënin dasmat, madje edhe ndërtonin shtëpi.
Ndërsa në fillim të këtij shekulli Dobrosini u bë i njohur me daljen në skenë të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare për Preshvë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB), që ndodhi pas përfundimit të luftës në Kosovë, në periudhën 2000-2001. Tani Dobrosini nga një lokalitet me tokë të shtrenjtë, me vullnet të madhë për të jetuar, apo edhe një vatër guerilësh dhe i njohur me vizita ndërkombëtarësh që vinin aty për ta rikthyer stabilitetin në këtë pjesë të Ballkanit, është një vend i qetë, gjysëm i braktisur dhe pakë joshës.
Në vendin e stories së konfliktit, ngritet kopshti i Edenit
Po të mos ishte Bashkim Tosuni, një person që nuk pranon të plaket duke ndenjur kot, mbase këtë vend do ta kishim vizituar vetëm në ndonjë rast të shkuarjes në Kosovë, zakonisht gjatë verës, për t’iu shmangur radhëve të gjata në vendkalimin te Dheu i bardhë. Bashkim Tosuni është protagonisti i radhës nga bletarët e vyer të Shoqatës së bletarëve nga Bujanoci, “Polen 2012”. Në rininë e tij Bashkimi kishte mbaruar Shkollën e klartë për inxhinier në Leskoc, ndërsa kjo ia kishte mndësuar që dikur të punonte si inxhinier i tekstilit në Kombinatin “Integj” të Gjilanit, në vitet 1975-78.
– Asnjëherë nuk e kam menduar veten që të merrem me bletari, por ishin dy shokë të cilët insistuan dhe më propozuan t’ia filloj, në njëfarë mënyre një stili të ri të jetesës, duke blerë dy koshere bletë.
Tani Bashkimi ka arritur t’i ketë 85 koshere, numër ky që do të ishte edhe dukshëm më i madhë nëse kosheret e tij nuk do të ishin kapluar nga zjarri, me ç’rast ai kishte humbur 30 koshere. Çuditërish, prej kur se ka gjithnjë e më pakë njerëz ka në fusha, kur toka nuk punohet, e pyjet kanë gjithnjë e më pakë bagëti, zjarret janë bërë më të shpeshta dhe me pasoja më të rënda.
– Askush nuk m’i kompensoi dëmet, as komuna e as shteti, përveç ndihmës që më ofruan kolegët e Shoqatës së bletarëve “Polen 2012”, serb e shqiptarë, ku jam edhe anëtarë i Këshillit drejtues.
Miqësia në ditë të mira, shpëtim në ditë të vështira
Po ashtu ishin kolegët nga kjo Shoqatë të cilët i ndihmuan Bashkimit në kujdesin ndaj bletëve, në kohën deri sa ishte i sëmurë dhe gati e kishte të pamundur që këtë veprimtari ta ushtronte vetë.
– I mbijetova fazës më të rëndë të jetës sime, falë mbështetjes së kolegëve të mi, të cilët u kujdesën për bletët e mia, deri sa mora veten nga problemet shëndetësore që më kishin pllakosur në atë kohë. Në mesin e kolegëve që nuk ngurruan të më ndihmojnë atëherë, e që këtë nuk ngurrojnë ta bëjnë sa herë që është nevoja edhe tani, do të përmendja Zarën, Vlladën, Mirkin, Mikin…
Tani Bashkimi duket i shëndoshë si molla, me shumë vullnet e plane që kjo veprimtari të përhapet dhe me të të merren sa më shumë njerëz, veçmas në mesin e të rinjëve. Kjo vendosmëri e tij hasi edhe në mbështetje te katër persona të tjerë, të cilët sot merren me këtë veprimtari.
Fryma e fundit drejt qiellit të përjetësisë, ku banojnë shpirtrat që dashuruan
Jam i lumtur që këshillat e mia për trajtimin dhe dobitë e kultivimit të bletëve, por edhe insistimi im që të kemi sa më shumë bletarë, pati sukses te katër persona, e njëri nga ta është 22 vjeçar.
Bashkimi nuk është i kënaqur me ndarjet buxhetore të komunës së Bujanocit për zhvillimin e bletarisë, mirëpo ai është i vendosur të mos i braktisë bletët deri në frymën e fundit, të cilat e kanë frymëzuar në ngritjen e një pemishteje në Dobrosin, nga e cila shpreson të prodhoj produkte bio si mjaltën që e nxjerrë nga kosheret.
– Edhe pse çmimi i mjaltit nuk është rritur në përpjestim me rritjen e kostos së shpenzimeve përcjellëse, megjithatë kujdesem maksimalisht që ky produkt të jetë tërësisht BIO.
Dashuria që Bashkimi e reflekton ndaj bletëve nuk shuhet, pavarësisht se trajtimi i tyre dhe blerja e paisjeve përkatëse asnjëherë nuk kanë qenë me kosto më të lartë se tani. E njëjta përgjigje frymon nga të gjithë bletarët “deri në frymën e fundit”, gjë e cila të bënë të mendosh se ndoshta shpirti i njeriut dhe bletëve e trashëgojnë njëri tjetrin. Apo se ta kuptosh shpirtin që bartë njeriu i mirë është sikur të miqësohesh me tërë universin dhe ta kuptosh thelbin e rolit që ka.