Një delagcion i Aleancës për Luginën sot është pritur në takim nga ministri i jashtëm shqiptar, Igli Hasani.
Në këtë takim të zhvilluar në Tiranë, dyshja e AL Armend Aliu dhe Ilir Sadriu, kanë njoftuar nga afër ministrin Ilgli Hasani për problematikat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Pas takimit, përmes një postimi në faqen zyrtare, Aleanca për Luginën, ka njoftuar në detaje se për çka kanë biseduar me ministrin shqiptar për punë të jashtme dhe Europë.
“Pasivizimi i adresave, papunësia enorme, mosnjohja e diplomave, problemet në fushën e arsimit, mungesa e informimit shqip, militarizimi i rajonit, ndalimi i përdorimit të simboleve kombëtare, diskriminimi në përfaqësimin në institucione shtetërore që operojnë në nivelin lokal si në gjykatë, prokurori, shëndetësi, polici, dogana etj. ishin pikat me të cilat elaboruam brengat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës” – thuhet në njoftimin e lëshuar nga Aleanca për Luginën.
AL, ka patur edhe disa kërkesa për Ministrinë për Punë të Jashtme dhe Euorpë të Republikës së Shqipërisë, si:
Hapja e konsullatës së Republikës së Shqipërisë në Preshevë.
– Mundësinë e dhënies së shtetësisë shqiptare për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
– Shqyrtimi i sigurimit të ofrimit të shërbimeve shëndetësore sekondare dhe terciale në institucionet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë deri në ndërtimin dhe funksionalizimin e një spitali në Luginë.
– Mbështetjen e vazhdueshme për studentët me kuota, bursa dhe akomodim.
– Përfshirja e Luginës së Preshevës në linjë të veçantë buxhetore, për projekte dhe iniciativa të mirëmenduara që sjellin dobi konkrete për qytetarët e Luginës së Preshevës.
Në njoftim thuhet që Aleanca për Luginën mori mbështetjen e plotë të Ministrit që në periudhën vijuese në koordinim dhe bashkëpunim të mirëfilltë dhe të drejtpërdrejtë përmes takimeve edhe më të shpeshta të konkretizojmë hapat e veprimit politik të mëtutjeshëm në zgjidhjen e problemeve ekzistuese./LUGINALAJMI/