Me humbjen e shumicës qeverisëse në Preshevë nga APN, LR dhe SNS-së, sot Qeveria e Serbisë, ka shpërndar Kuvendin komunal të Preshevës dhe ka emëruar organin e përkohshëm prej pesë anëtarëve, pjesë e së cilës nuk është edhe kryetari aktual Shqiprim Arifi.
Me këtë rast, Shqiprim Arifi, pas gati gjashtë muaj pa shumicë qeverisëse, nga sot edhe zyrtarisht nuk do të jetë më, në krye të Preshevës, komunë të cilën gati e udhëhoqi për 7 vjet.
Pas emërimit të organit të përkohshëm në Preshevë, ish kryetari Shqiprim Arifi nëpërmjet një postimi në facebook ka akuzuar Qeverinë e Serbisë si regjim antishqiptar.
“Dje në mesnatë, pushteti autoritar i Beogradit, në mënyrë arbitrare dhe duke mos ndjekur asnjë procedurë ligjore, si dhe pa asnjë njoftim zyrtar, regjimi serb dhe antishqiptar duke vazhduar traditën e Millosheviqit të viteve të 90ta, në mënyrë të dhunshme më SHKARKUAN nga posti i Kryetarit të Komunës së Preshevës. Njëkohësisht, ky regjim antishqiptar dhunshëm instaloi një organ të përkohshëm deri në zgjedhjet e ardhshme.
Ka disa kohë që Vuçiq kërcënon publikisht shqiptarët e Luginës së Preshevës. SHKARKIMI i dhunshëm i imi, mesnatën e mbrëmshme, pa asnjë procedur ligjore dhe asnjë njoftim, ndodh menjëherë pas kërcënimit të fundit publik të Vuçiqit në këtë javë dhe 24 orë pasi u dënova nga Gjykata serbe për vendosjen e flamurit kombëtar shqiptar më 28 Nëntor” – ka shkruar Arifi.
Ish kreu i Preshevës, ka njoftuar edhe për përfundimin e karrierës politike në Preshevë.
“Me këtë SHKARKIM të dhunshëm nga regjimi serb i jap FUND politikës aktive në Luginë të Preshevës, por në anën tjetër dhe njëherë më shumë më ka motivuar që luftën ndaj padrejtësisë, diskriminimit, pasivizimit dhe luftën për të drejta elementare dhe avokimin e të drejtave të popullit tim, për shqiptarët autokton të këtyre trojeve, ta ngriti në një nivel më të lartë!” – thuhet në njoftimin e Shqiprim Arifit.
Kujtojmë që Shqiprim Arifi është thyer nga Gjermania në vitin 2015-të dhe kishte themeluar Aleancës për Ndryshim, me të cilën udhëhoqi për dy mandate./LUGINALAJMI/