Organizata joqeveritare “Gradjanske inicijative” (Iniciativa Qytetare) ka konfirmuar se policia ka hyrë në zyret e saj në Beograd dhe e ka cilësuar këtë si “një sulm të rëndë ndaj të drejtave themelore qytetare dhe një vazhdim të presionit të paligjshëm ndaj shoqërisë civile në Serbi.”
Në një deklaratë, ata theksuan se anëtarët e Drejtorisë së Policisë Kriminalistike rreth orës 9:20 kanë hyrë në zyret e organizatës, por refuzuan të tregojnë urdhërin e bastisjes.
Mediat kishin raportuar më parë se, sipas një urdhri të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, policia ka hyrë këtë mëngjes në zyra të disa organizatave joqeveritare, përfshirë Iniciativat Qytetare dhe Qendrën për Kërkime, Transparencë dhe Përgjegjësi (CRTA), për të hetuar përdorimin e mundshëm të parave të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
Iniciativat Qytetare vunë në dukje se “strukturat që janë në pushtet po përpiqen të implementojnë mekanizma frikësimi dhe ndjekjeje, pa miratuar ende Ligjin për Agjentët e Huaj, i cili ka hyrë në procedurën parlamentare, por ende nuk është miratuar formalisht. Ky përdorim i policisë për qëllime politike paraqet një keqpërdorim të rëndë të institucioneve shtetërore për të ndëshkuar ata që nuk janë dakord me pushtetin dhe një vazhdim të shtypjes së veprimtarisë së lirë dhe demokratike në Serbi.”
Ata shtuan gjithashtu se policia ka bërë bastisje në Shtëpinë e të Drejtave të Njeriut në Beograd dhe në Qendrën për Politikë Praktike, një organizatë që nuk ka projekte të financuara nga USAID, “ndonëse mediat pro-qeveritare si Informer, RTS dhe Kurir kanë thënë se bastisjet janë të lidhura me financimin e shoqërisë civile nga USAID.”
Iniciativat Qytetare dënuan ashpër këtë sulm ndaj organizatave të shoqërisë civile dhe kërkuan që organet përkatëse të shpjegojnë menjëherë bazën për këtë aksion dhe të ndalin abuzimin e institucioneve për qëllime politike. Ata po ashtu presin reagimin e shoqërisë shqiptare dhe ndërkombëtare ndaj këtij shkelje të pamëshirshme të vlerave demokratike dhe sigurisë juridike.