Një ngjarje shqetësuese ka ndodhur të dielën në Bosilegrad, pas përfundimit të ndeshjes së futbollit ndërmjet KF Mlladost, skuadra vendase, dhe KF Tërnoci. Sipas raportimeve, forcat policore serbe kanë hyrë në fushë menjëherë pas përfundimit të ndeshjes dhe kanë ushtruar dhunë ndaj njërit prej futbollistëve të ekipit të Tërnocit, për të vazhduar më pas me bastisjen e zhveshtores së skuadrës mysafire.
Përballë këtij incidenti të rëndë, kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka reaguar me dy letra zyrtare të dërguara më 8 prill 2025, duke kërkuar sqarime dhe masa konkrete. Në një letër drejtuar Ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, Pajaziti ka kërkuar hetim të menjëhershëm dhe ndëshkim të të gjithë zyrtarëve policorë të përfshirë në këtë akt dhune, duke theksuar se ky veprim përbën një shkelje flagrante të të drejtave të njeriut dhe të ligjeve në fuqi.
Në letrën e tij në gjuhën serbe, Pajaziti thekson se ky akt përfaqëson një sjellje të papranueshme ndaj qytetarëve që nuk po bënin asgjë tjetër veçse po ushtronin të drejtën e tyre për të marrë pjesë në aktivitete sportive. Ai ka kërkuar një hetim të plotë dhe të paanshëm, ndëshkim të zyrtarëve përgjegjës, si dhe krijimin e mekanizmave mbrojtës për sportistët, me qëllim që të sigurohet trajtim i drejtë dhe i barabartë për të gjithë, pavarësisht përkatësisë etnike.
Paralelisht, Pajaziti i është drejtuar edhe Misionit të OSBE-së në Serbi, duke shprehur shqetësim të thellë për dhunën e ushtruar ndaj futbollistëve shqiptarë. Në letrën e tij, ai thekson se ky veprim i pajustifikuar i forcave policore ka shkaktuar ndjenja pasigurie dhe frike jo vetëm te sportistët, por edhe te komuniteti i gjerë shqiptar në rajon, veçanërisht te të rinjtë. Ai ka kërkuar nga OSBE-ja që të nxisë një hetim të pavarur dhe të thelluar në bashkëpunim me institucionet shtetërore dhe mekanizmat ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut, si dhe të bëjë thirrje për një proces të hapur dhe të drejtë që do të ndihmojë në parandalimin e incidenteve të ngjashme në të ardhmen.
Pajaziti u ka bërë thirrje autoriteteve që ky rast të trajtohet me seriozitetin e duhur dhe që të mos kalojë pa përgjegjësi dhe masa konkrete./LUGINALAJMI/

