Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka deklaruar se nuk do të mbështesë zgjedhjen e Qeverisë së re të Serbisë, duke e cilësuar atë si një vazhdimësi të politikave të krizës dhe përjashtimit. Në fjalimin e tij sot gjatë seancës parlamentare në Beograd, Kamberi kritikoi ashpër drejtimin politik të vendit dhe theksoi mungesën e vullnetit të vërtetë për ndryshim dhe përfshirje të pakicave kombëtare.
“Zgjedhja e kësaj qeverie përfaqëson politikën e vazhdimësisë dhe jo të një ndryshimi thelbësor në drejtimin politik të vendit. Kjo është një qeveri që vjen në një atmosferë të parregullsive zgjedhore, degradimit të sundimit të ligjit dhe gjuhës së urrejtjes”, tha Kamberi.
Ai shtoi se Serbia ka ndërruar tetë qeveri në 13 vite, një tregues i qartë i paqëndrueshmërisë politike dhe përkohshmërisë institucionale.
Në fjalimin e tij, Kamberi kritikoi ashpër edhe mënyrën se si është trajtuar çështja e të drejtave të pakicave në programin qeveritar:
“Çështjet e politikave për pakicat janë lënë në margjinë. Nuk ka asnjë zgjidhje të ofruar për problemet e grumbulluara prej dekadash. Në një moment kur marrëdhëniet ndëretnike janë të brishta dhe pozita e pakicave është e vështirë, ky qëndrim nuk ndihmon as përfshirjen, as stabilitetin, e as integrimin e tyre të barabartë në institucionet shtetërore.”
Kamberi shprehu shqetësim të veçantë për procesin e selektiv të pasivizimit të adresave të shqiptarëve të Luginës, mungesën e njohjes së diplomave dhe përjashtimin nga institucionet shtetërore. Ai kritikoi emërimin e ministrit të propozuar për të drejtat e njeriut dhe të pakicave, duke e cilësuar atë si një zgjedhje kontroverse dhe të bazuar në lojalitet ndaj regjimit e jo në profesionalizëm.
“Emërimi i këtij kandidati për ministër është simbol i instrumentalizimit të politikës së pakicave për qëllime propagandistike të regjimit. Përdorimi i tij si alibi për përfaqësimin e shqiptarëve është i dëmshëm për interesat reale të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, tha ai.
Në fund të fjalimit të tij, Kamberi u shpreh i vendosur në qëndrimin e tij:
“Unë distancohem nga ky zgjedhje. Në një kohë kur nevojitet dialog i sinqertë dhe integrim i vërtetë, ky veprim është një goditje cinike që i shërben vetëm propagandës së regjimit. Por mos u shqetësoni – erërat e ndryshimit kanë filluar të fryjnë. Do t’ju përfshijnë edhe ju. Ne do të jemi të durueshëm dhe të vendosur në luftën tonë për drejtësi dhe barazi.”/LUGINALAJMI/