-Foto ilustrim-
Tri partitë politike shqiptare në Bujanoc – Lëvizja për Progres Demokratik (LPD), Partia Demokratike (PD) dhe Partia për Veprim Demokratik (PVD) – përmes një komunikate të përbashkët, kanë akuzuar kryetarin e komunës, Arbër Pajaziti, për refuzimin e krijimit të një shumice shqiptare në pushtetin lokal, duke zgjedhur të vazhdojë bashkëqeverisjen me Partinë Përparimtare Serbe (SNS) të presidentit Aleksandar Vuçiq.
Takimet për ndërtimin e një koalicioni gjithëshqiptar, të organizuara nën patronatin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇPMB-së, kishin për qëllim konsolidimin e një fronti të përbashkët politik shqiptar në Bujanoc. Opozita ofroi mbështetje të plotë për Frontin për Ndryshim në këmbim të largimit të SNS-it nga pushteti lokal, një ofertë që, sipas opozitës, u refuzua kategorikisht nga Arbër Pajaziti. Sipas deklaratës, një shumicë prej të paktën 21 këshilltarësh shqiptarë do të garantonte një qeverisje tërësisht shqiptare.
“Ky është një vendim që flet qartë për mungesën e vullnetit dhe guximit të Pajazitit për një bashkëqeverisje shqiptare,” thuhet në kumtesën e përbashkët të opozitës. Ata e akuzojnë kryetarin aktual për lojalitet ndaj partnerëve serbë në pushtet, në një kohë kur diskriminimi institucional ndaj shqiptarëve po thellohet nga niveli qendror.
Por, ditë më pare, kryetari Arbër Pajaziti reagoi fillimisht përmes një postimi në Facebook, ku përpjekjet e opozitës i cilësoi si “gracka të demoduara” dhe një “farsë politike pa seriozitet”. Ai deklaroi se kishte marrë pjesë në takimet e thirrura nga OVL-ja, por akuzoi PD-në dhe PVD-në për mungesë serioziteti, duke theksuar se këto subjekte nuk u përfaqësuan nga liderët e tyre politikë.
“Kjo ishte lajthitje e radhës e opozitës, që tentoi të më zë në befasi, ngjashëm me epizodin e ‘iniciativës së ish-kryetarit të KKSH-së’,” shkroi Pajaziti. Sipas tij, me përjashtim të LPD-së, opozita nuk paraqet asnjë konkurrencë serioze politike, ndërsa bashkëpunimi me PVD-në dhe PD-në konsiderohet i mbyllur deri në zgjedhjet e ardhshme. “Të paktën deri në vitin 2028, këto skenarë të vjetër me po ata regjisorë për ne janë të njohur,” përfundoi ai./LUGINALAJMI/