-Foto ilustrim-
Pas zhvillimeve të fundit politike në Bujanoc dhe debatit publik që pasoi, Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇPMB-së ka publikuar një sqarim për opinionin, në të cilin thekson se ka qenë pikërisht kjo organizatë që mori nismën për thirrjen e dy takimeve ndërmjet subjekteve politike shqiptare në komunën e Bujanocit, me qëllim krijimin e një shumice të bashkuar shqiptare.
Në deklaratën publike, Organizata sqaron se situata aktuale politike dhe pozita e vështirë e shqiptarëve në komunë e detyroi atë të ndërmarrë hapin e mbledhjes së gjithë spektrit politik shqiptar, duke theksuar se “çdo bisedë dhe çdo konsultë në mes partive shqiptare është më se e rëndësishme, sepse nga këto takime krijohet shpresë për unifikim”.
“Organizata e veteranëve çdoherë ka bërë përpjekje për unifikim dhe bashkim. Ne nuk jemi kundër asnjë subjekti politik. Ne kemi qenë dhe do të jemi që përfundimisht pushteti në Bujanoc të udhëhiqet nga të gjitha partitë politike shqiptare”, thuhet në sqarim.
Duke i bërë thirrje përfaqësuesve politikë shqiptarë që të vazhdojnë me konsultime, Organizata rithekson se Bujanoci nuk është sot ashtu siç e kanë ëndërruar dëshmorët. Ajo shpreh shqetësimin se komuna nuk po udhëhiqet në mënyrë gjithëpërfshirëse nga shqiptarët dhe se rinia nuk po sheh shpresë në institucionet vendore.
“Ftojmë gjithë spektrin politik në mbarë Luginën e Preshevës që të unifikohen dhe të kordinohen për t’i bërë ballë diskriminimit të vazhdueshëm nga ana e qeverisë së Serbisë”, përfundon deklarata, e cila është publikuar nga Shërbimi informativ i OVL UÇPMB-së në Bujanoc./LUGINALAJMI/
