Ndarja e mjeteve nga Komisioni për vlerësimin e projekteve në fushën e informimit në Komunën e Bujanocit ka nxitur debat dhe reagime të ashpra nga përfaqësues të opozitës lokale. Kritikat lidhen me mënyrën se si janë shpërndarë fondet publike për mediat, ku shumica e mjeteve është propozuar për media serbe nga Bujanoci dhe Vranja, ndërsa një pjesë më e vogël për mediat në gjuhën shqipe. Këshilltari komunal Rahim Salihi ka reaguar publikisht përmes një postimi në Facebook, ku ka kërkuar anulimin e vendimit të Komisionit, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe të papranueshëm. “Propozimi skandaloz i Komisionit për ndarjen e mjeteve për financimin e mediave në Komunën e Bujanocit duhet të anulohet”, ka shkruar Salihi.
Ai ka sqaruar se nga 3 milionë dinarë të planifikuara për këtë qëllim, Komisioni ka propozuar që 1.7 milionë dinarë (rreth 60%) t’u ndahen mediave në gjuhën serbe, ndërsa vetëm 1.3 milionë mediave në gjuhën shqipe. Sipas tij, situata bëhet edhe më shqetësuese nga fakti që në listën e mbështetjes figurojnë tri media nga qyteti i Vranjës, ndërkohë që shumë media lokale shqiptare mbesin pa përkrahje institucionale. “Nuk ka kuptim që Komuna e Bujanocit të financojë media nga Vranja, ndërsa të mos ketë mjete për mediat lokale, të cilat edhe ashtu janë të diskriminuara”, ka theksuar Salihi./LUGINALAJMI/
