Të dielën në orët e hershme të mëngjesit, përfaqësues të Zyrës për të rinj të Komunës së Bujanocit kanë larguar fotografinë e ish-kryetarit të Komunës dhe anëtarit të Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Ragmi Mustafi, nga fasada e një ndërtese kolektive ku ndodhet edhe selia e kësaj partie në Sheshin e qytetit.
Largimi i fotos është pasuar sot, në mëngjesin e datës 16 korrik, nga vendosja e një bilbordi të ri shumëngjyrësh që, sipas Zyrës për të rinj, simbolizon multietnicitetin. Kjo u realizua nën mbështetjen e dhjetëra forcave policore të stacionit lokal.
Partia për Veprim Demokratik, përmes një njoftimi nga shërbimi i saj për informim, ka reaguar ashpër ndaj këtij veprimi, duke e cilësuar si “tendencë për të ngritur tensione ndërshqiptare”. PVD e cilëson largimin e materialit promovues të saj si të paligjshëm, të kryer në mënyrë fshehtë dhe pa konsultim me banorët apo përfaqësuesit e partisë.
Sipas këtij njoftimi, bilbordi i hequr, bashkë me strukturën mbajtëse metalike, ishte pronë e PVD-së dhe ishte vendosur gjatë fushatës zgjedhore. Ata akuzojnë pushtetin lokal se ka vënë në dispozicion automjetin komunal për personel jokompetent, që nuk është pjesë e administratës apo ndërmarrjeve publike, duke kryer kështu “punë të paligjshme me resurse publike”.
Gjithashtu, PVD ngre shqetësimin për mosrespektimin e masave të sigurisë gjatë punimeve dhe thekson se, ndryshe nga ndërhyrja e bërë mbi objektin e selisë së saj, pushteti lokal nuk është shqetësuar nga mbishkrimet në gjuhën cirilike që ndodhen në objekte përballë.
Në fund të njoftimit, PVD njofton se do të procedojë çështjen në prokurori dhe inspektoratet përkatëse për dëmtim prone, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe shkelje të rregullave të sigurisë në punë./LUGINALAJMI/