Në ditëlindjen e tij të 65-të, Dr. Adnan Salihu, një nga mjekët më të përkushtuar dhe të dashur të Bujanocit, u përcoll në pension, duke mbyllur një kapitull të lavdishëm të karrierës së tij si mjek dhe humanist.
I diplomuar në vitin 1986, ai nisi karrierën e tij në vendbanimet më të thella të Malësisë së Bujanocit, në fshatrat Muhoc dhe Zarbincë, ku shërbeu për nëntë vite me vetëmohim të rrallë. Dr. Adnani përshkonte rrugët e vështira me autobusë lokalë apo në këmbë – shpeshherë në kushte të rënda atmosferike – vetëm për të qenë pranë pacientëve të tij. Edhe kur autoritetet sugjeronin kthimin për shkak të mungesës së transportit, ai kurrë nuk tërhiqej. Mjeku ecte kilometra në dëborë, vetëm që t’ju dilte në ndihmë të sëmurëve dhe të moshuarve.
Përtej orarit zyrtar dhe përtej përgjegjësive institucionale, Dr. Adnani ka qenë gjithmonë aty për njerëzit – edhe privatisht, në mënyrë vullnetare, duke vizituar dhe trajtuar pacientë nëpër shtëpitë e tyre, pa kërkuar asgjë në këmbim. Në kohë të vështira, ai ishte shpresa e vetme për shumë familje, i gatshëm të lëvizë ditën e natën për të ndihmuar secilin që kishte nevojë.
Në vitin 1995, ai u kthye për të punuar në fshatrat më të afërta të komunës së Bujanocit, ku ndërtoi lidhje të forta dhe të sinqerta me komunitetin. Pacientët e ndiqnin orarin e tij me përpikëri, sepse kishin besim të plotë në profesionalizmin dhe përkushtimin e tij.
Pas specializimit, Dr. Salihu u emërua shef i repartit të Mjekësisë Familjare në Shtëpinë e Shëndetit në Bujanoc, detyrë që e ushtroi me ndershmëri e përkushtim deri në pensionim. I njohur për numrin rekord të pacientëve, ai ishte një figurë qendrore në kujdesin shëndetësor vendor, por edhe një model humanizmi në shoqëri.
Përveç misionit të tij si mjek, Dr. Adnani kontribuoi edhe në jetën publike si kryetar i Kuvendit Komunal në dy mandate: në vitin 2006 dhe në periudhën 2016–2020.
Në Bujanoc dhe më gjerë, nuk ka shtëpi shqiptare – e shpesh as serbe apo rome – që nuk e njeh këtë mjek të përulur dhe të përkushtuar. Për shumëkënd, ai nuk ishte vetëm mjek, por edhe mik, këshilltar dhe mbështetës i palodhur.
Redaksia e LuginaLajmi i uron Dr. Adnan Salihut një pensionim të lumtur, të qetë dhe të rrethuar me dashurinë e më të afërmve.
Urime, doktor – rrofsh sa malet!



